
KORÇË- Zbardhet pas 7 vitesh vrasja e Antonio Karafilit! I riu nga Korça, ishte vetëm 18 vjeç kur u vra nga partnerja dhe i dashuri i saj i moshuar. Prokuroria e Korçës pas një hetimi të thelluar, ka arritur të identifikojë dy autorët e krimit, Rexhep Vathin dhe Kejsi Spaillari. E reja është zbuluar nga një gjurmë biologjike ADN, që është gjendur në çarçafin me të cilin ishte lidhur në qafë, Antonio Karafili. Për Kejsi Spaillarin është prerë një "urdhër-arresti" ndërkombëtar, pasi e reja kishte zgjedhur që pas krimit të emigronte për në Kanada. Atje ka krijuar edhe familje.
Fati ishte ndryshe për Vathin, i cili sot nuk jeton më. Rexhep Vathi i ka dhënë fund jetës në gusht të vitit 2024, duke marrw me vete edhe tw vwrtetwn e tij lidhur me atw qw ndodhi natën e vrasjes.
Por pse u vra Antonio Karafili?
Sipas asaj që dihet deri më tani, Spaillari duket se kishte nisur një histori paralele me Vathin, një person nga Kruja që kishte ngritur një stan dhe një lokal në pyllin e Voskopojës. Mesa duket Karafili ka zbuluar tradhëtinë dhe ky ka qenë "mëkati" i tij i vetëm. Ai u mbyt me çarçaf nga e dashura dhe partneri i saj. E më pas, u var në një pemë, për të inskenuar vetëvrasjen. Në dëshminë e saj para hetuesve e reja ka treguar se me Antonion atë ditë ishte takuar rreth orës 17:00 për të sqaruar një sherr që i dashuri i saj kishte me xhaxhin dhe kushëririn e saj. Po ashtu, është shprehur se Antionio kishte bërë skena xhelozie duke e akuzuar atë se kishte një lidhje paralele.
Po sipas saj, dy të rinjtë ishin ndarë rreth orës 20:00. 17-vjeçarja menjëherë kishte njoftuar prindërit e Antionios për "zhdukjen" e tij dhe të tre së bashku kishin shkuar në vendin ku i riu ishte varur. E ëma e të ndjerit, Mimoza Karafili, ishte personi që i preu çarçafin të riut, duke ngritur e para dyshimet se vdekja e të birit nuk ishte vetëvrasje. Sipas saj, dega ku ishte varur i biri ishte vetëm 1.48 centimetra nga toka, ndërsa i biri ishte gati 1.80 centimetra i gjatë. Për të, ashtu siç e provoi edhe drejtësia, nuk kishte asnjë mundësi që djali të kishte vrarë veten.
Për ngjarjen, një tjetër dëshmitar okular është shprehur, se atë natë në pyll, kishte parë dhe dëgjuar 4 persona, që bërtisnin. Por dëshmitari, 65-vjeçari Rexhep Vathi, dëgjohet të porosisë Kejsin të ketë kujdes, duke e njoftuar se ai vetë nuk do të tregojë, se çfarë ka parë atë natë në pyll.
Dëshmitari Rexhep Vathi: Unë pranoj, të kam çuar fjalë sot, me të sinjalizuar, ti ke dëgjuar vetë, ti i di vetë ma mirë sesa unë, ti sot.., nuk je budallaqe, ti sot futesh te një femër e pjekur, ëëë…?
Kejsi Spaillari: Po!
Dëshmitari Rexhep Vathi: Nuk je, po veten do ta ruash shumë Kejsi! Me mu do hapesh, si me u hap me babën tënd dhe duhet të m’i tregosh të gjitha, pavarësisht di gjë, s’di gjë, kam qenë aty, s’kam qenë aty…Duhet të mi tregosh të gjitha, se më ke krahë si babë… A të ka thirrur policia?
Kejsi Spaillari: Po, që në fillim.
Dëshmitari Rexhep Vathi: Çfarë të kanë thënë?
Kejsi Spaillari: Thjesht çfarë ndodhi, dëshminë e ngjarjes edhe kaq!
Dëshmitari Rexhep Vathi: Për atë muhabetin, që të thashë, s’bëhet gjë, s’e zgjidhna dot…
Kejsi Spaillari: Seriozisht?
Dëshmitari Rexhep Vathi: Ehee, jo për ndonjë gjë, kisha nevojë edhe unë për një pikë mbështetje këtu, se unë do vij çdo vit, po ja shihe ndonjë grua, që të jetë…
Kejsi Spaillari: Do shikoj, do pyes prapë, se vetë kështu për të njohur, pyeta dy-tre shoqe të mia, i thashë po të keni ndonjë në lagje, kemi ne këtej i thashë…
Dëshmitari Rexhep Vathi: Dëgjo, të jetë një femër serioze, që t’ia vlejë..!
Kejsi Spaillari: Kuptoj, po!
Dëshmitari Rexhep Vathi: Kupto drejt?
Kejsi Spaillari: Ehë..
Dëshmitari Rexhep Vathi: Se kam dhe një tip unë, me gjithë mend jam verior, po nuk shkoj degë më degë. Kejsi, llafet janë shumë, shumë, shumë keq, ama mos harro, shteti e merr avash-avash, kushdo, që të të thërrasë, civil apo ushtarak, nuk di gjë… Unë kam pas frikë të shkoj në pyll, kam dashur të ulërij, kanë qenë ca jabanxhi aty, më erdhi turp, më erdhi zor, nuk bërtita, mora vëllain në telefon. Këto llafe i thua, se masanej me na thirr ne, me më thirr mua, unë flas ndryshe, flas gjëra, që ti mos të cënohesh fare, po për t’u ruajtur, duhet të ruhesh shumë !E shpërndajmë për sot?
Kejsi Spaillari: Po!
Ngjarja fillimisht u regjistrua dhe u hetua si vetëvrasje. Por pas këmbënguljes së familjes të të ndjerit, Prokuroria urdhëroi një riekspertim të tretë nga Instituti i Mjekësisë Ligjore. Edhe pas eksperimentit në terren, shumë fakte nga Mjekësia Ligjore sërish u sfumuan, duke e lënë si vetëvarje atë që ka ndodhur me të riun e ndjerë. E vetmja zgjidhje që kjo çështje të zbardhet, u pa dërgimi jashtë Shqipërisë i bërjes së akt-ekspertimit përfundimtar, i pandikuar nga Mjekësia Ligjore në Shqipëri. Pas rezultateve të eksperimenteve, gjyqtari i Korçës, Arben Lena, vendosi të kthejë dosjen për rihetim duke detyruar prokurorinë të orientonte hetimin në akuzën e “Vrasjes me dashje”./ZËRI