Aktualitet

Rasti i dhunës ndaj të miturës në Fier, Hita: Pezullohet një efektiv për lidhje të papërshtatshme me një nga vajzat

Hita sqaroi se efektivi nuk dyshohet se ka publikuar videon e dhunës, por sjellja e tij është konsideruar në kundërshtim me standardet e kërkuara nga një punonjës policie.

zh.ll
Rasti i dhunës ndaj të miturës në Fier, Hita: Pezullohet
skender hita-pamje nga video e te miturave

TIRANË- Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Skënder Hita, ka dhënë detaje mbi rastin e dhunimit të një të miture në Fier nga disa bashkëmoshatare, ngjarje e cila shkaktoi reagime të shumta pas publikimit të pamjeve në rrjetet sociale.

I pyetur nga gazetarët, Hita bëri me dije se pas publikimit të videos janë kryer të gjitha veprimet procedurale dhe hetimore në bashkëpunim me Prokurorinë.

Sipas tij, njëra prej vajzave të përfshira në ngjarje kishte precedent të mëparshëm dhe ndaj saj është marrë masë arresti. Ndërkohë, lidhur me pezullimin e një efektivi policie të përfshirë në rast, Hita tha se ai ka cenuar rëndë figurën e Policisë së Shtetit, pasi ka krijuar një marrëdhënie të papërshtatshme me të miturat.

Hita sqaroi se efektivi nuk dyshohet se ka publikuar videon e dhunës, por sjellja e tij është konsideruar në kundërshtim me standardet e kërkuara nga një punonjës policie.

“Është një video e rëndë ku shihen disa të mitura duke kryer veprime të dhunshme. Janë kryer veprimet procedurale dhe, në vijim të hetimeve të zhvilluara në bashkëpunim me Prokurorinë, janë ndërmarrë ndjekjet penale. Një prej vajzave ka pasur rast të përsëritur dhe është arrestuar. Oficeri i Policisë i përfshirë në rastin e Fierit nuk është evidentuar se ka nxjerrë videon. Pezullimi i tij është urdhëruar për shkelje të standardeve dhe cenim të rëndë të figurës së Policisë, pasi ka hyrë në një marrëdhënie të panevojshme me vajzat që kanë kryer veprime të kundërligjshme ndaj një të miture tjetër”, u shpreh Hita.

Ngjarja ndodhi më 8 qershor të këtij viti, ndërsa u bë publike në media pas publikimit të videos që shkaktoi reagime të forta në opinionin publik. Një 17-vjeçare u dhunua nga dy vajza 15-vjeçare dhe një 19-vjeçare, në shtëpinë e kësaj të fundit, ndërsa një e tretë ka filmuar të gjithë ngjarjen. /ZËRI

Poll

MOS HUMB