Aktualitet

Reforma e re territoriale, organizata hasjane: Hasi të jetë bashki me vete

Ata argumentuan se kjo krahinë mbart vlera të mëdha historike dhe kulturore dhe se Hasi nuk meriton të përballet me sfida territoriale.

l.k
Reforma e re territoriale, organizata hasjane: Hasi të jetë bashki me
Hasi

HAS- Shoqata Atdhetare Hasi, në krye me Kujtim Morinën, së bashku me Diasporën Hasjane, me koordinator Uran Derri, zhvilluan një takim publik në Tiranë me temë me temën “Vetëqeverisje Lokale për Zhvillim të Qëndrueshëm”, ku të pranishëm ishin edhe deputeti i Partisë Demokratike, Luciano Boçi si dhe ambasadori britanik në Tiranë, Nicholas Abbott.

Në këtë takim, fokusi i dy organizatave të qytetit të Hasit ishte vendosja e statusit të një njësie të veçantë bashkiake për Hasin. Ata argumentuan se kjo krahinë mbart vlera të mëdha historike dhe kulturore dhe se Hasi nuk meriton të përballet me sfida territoriale.

“Deri më tani nuk ka asnjë deklarim zyrtar për këtë bashki, por pikërisht mungesa e deklarimit krijon frikë. Do të ishte mëkat që gjithë ky çlirim vlerash, që shpërthejnë me energjitë më të mira, të ndërpritet”, u shpreh Kujtim Morina, kryetar i Shoqatës Atdhetare “Hasi”.

Sipas Uran Derrit, koordinator i Diasporës Hasjane, nëse Hasi nuk vendoset si bashki më vete, qyteti mund të përballet me largime masive të qytetarëve:

“Nuk dëshirojmë kurrë që Hasi të zbrazet ose të dobësohet, sidomos kur përballet me sfida territoriale. Kjo mund të shkaktojë largime të mëtejshme të hasjanëve. Përkundrazi, synimi ynë është të bëjmë gjithçka për të parandaluar largimin dhe për të përforcuar lidhjen tonë me vendlindjen”, tha ai.

Lidhur me këtë propozim, deputeti dhe bashkëkryetari i reformës territoriale, Luciano Boçi, shprehu mbështetjen e tij, duke theksuar se duhet rritur numri i bashkive: “Ne duhet të rrisim numrin e bashkive, jo vetëm për të ruajtur Hasin, por edhe për të njohur ato territore që e meritojnë, të cilat kanë identitetin e tyre historik dhe kulturor dhe duhet të ekzistojnë si të tilla”.

Ky takim vjen pas diskutimit të reformën e re territoriale në vend, ku Partia Socialiste propozon reduktimin e numrit të bashkive nga 62 në 36, ndërsa Partia Demokratike është shprehur se nuk është dakord në reduktimin e bashkive në vend. Madje kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka kritikuar projektin e qeverisë, duke akuzuar kryeministrin Edi Rama se reforma synon shpopullimin e mëtejshëm të vendit dhe nuk pasqyron interesat e qytetarëve./ZËRI

 

Poll

MOS HUMB