FIER- Ka ndërruar jetë Belera Plaka, e cila mbeti e plagosur gjatë ngjarjes së rëndë të ndodhur në fshatin Vidhisht të Roskovecit, pasi u qëllua me armë nga ish-dhëndri i saj, 35-vjeçari Refit Buzi.
51-vjeçarja iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale që zgjati mbi 5 orë, për shkak të dëmtimeve të shumta në pjesën e barkut, por nuk arriti t’u mbijetonte plagëve të marra.
Njoftimi i Policisë:
Roskovec, Fier/Informacion shtesë
Në vijim të informacioneve paraprake të dhëna për ngjarjen e rëndë kriminale të ndodhur në fshatin Vidhisht, Roskovec, ju informojmë se shtetasja B. P., 51 vjeçe, e cila ishte plagosur me armë gjahu nga shtetasi R. B., 35 vjeç, ka humbur jetën në spital, si pasojë e dëmtimeve të marra.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë vijon veprimet procedurale dhe hetimore për dokumentimin e plotë ligjor të ngjarjes, si dhe për sqarimin e të gjitha rrethanave dhe zbardhjen e motivit.
Ngjarja e rëndë u regjistrua në orët e para të mëngjesit të sotëm, kur Refit Buzi qëlloi me armë gjahu ndaj familjes së ish-të partneres së tij, duke lënë të vdekur babanë e saj. Pas sulmit, 35-vjeçari mori peng ish-parteneren, 24-vjeçaren Rozalinda Plaka dhe e mbajti nën kërcënimin e armës për rreth 5 orë.
Pasi liroi pengun, vetë autori qëndroi i ngujuar brenda në automjet për mbi 7 orë, teksa negociatorët tentuan gjatë gjithë kësaj kohe ta bindnin autorin të dorëzohej. Por, pas disa orësh, negociatat dështuan pasi 35-vjeçari dyshohet se u vetëvra brenda në automjet./ZËRI