SHKODËR- Moti i keq që ka pushtuar vendin në orët e fundit ka sjellë problem të shumta në zonën e Shkodrës, ku prefekti i qytetit njofton se rreth 200 mjete janë bllokuar në akse të ndryshme rrugore.
Siç bëhet me dije përmes një njoftimi nga prefekti i qarkut Shkodër, mbi 200 mjete kanë tentuar të lëvizin në këtë segment, por qarkullimi është rivendosur falë ndërhyrjes së Policisë Rrugore dhe mjeteve borëpastruese.
“Prefekti i Qarkut Shkodër informon se gjatë orëve të fundit janë marrë një numër i konsiderueshëm telefonatash nga qytetarë në sallën operative të Komisariatit të Policisë Shkodër, ku raportohet se disa familje, përfshirë edhe fëmijë, ndodhen të bllokuara në segmente të ndryshme rrugore.
Bllokimet janë evidentuar në akse të ndryshme rrugore, nga zona e Bunit të Bajraktarit deri në zbritje në drejtim të qytetit të Koplikut. Aktualisht, në këtë aks rrugor po bien reshje breshëri të alternuara me dëborë dhe ka filluar formimi i ngricave, duke e vështirësuar ndjeshëm qarkullimin rrugor.
Sipas raportimeve, mbi 200 mjete po tentojnë të lëvizin në drejtim të qytetit të Koplikut", bëhet me dije në njoftimin nga ana e prefektit.
Nga informacionet e fundit të administruara nga strukturat operacionale në terren informohemi se aksi rrugor Qafë Thore–Bogë është zhbllokuar dhe qarkullimi po vijon normalisht.
Ndërsa sksi rrugor Selcë–Qafë Berdelëcit paraqet probleme për shkak të ngricave të shumta, ku disa automjete janë kthyer në fshatin Tamare.
Në terren ndodhen shërbimet e Policisë Rrugore dhe mjetet borëpastruese, të cilat janë në koordinim të vazhdueshëm për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së qarkullimit rrugor.
Prefekti i Qarkut Shkodër po ndjek situatën nga afër dhe kërkon koordinim të menjëhershëm për garantimin e sigurisë. Autoritetet bëjnë apel që drejtuesit e mjeteve të shmangin udhëtimet e panevojshme dhe të ndjekin udhëzimet e Policisë. Në rast emergjencash, qytetarët mund të kontaktojnë Policinë e Shtetit ose shërbimet e emergjencave.