TIRANË-Aktori i humorit Gazmend Paja ka vendosur të pezullojë statusin e “investitorit strategjik”. Paja fitoi statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort luksoz në Dhërmi, me vlerë 13.8 milionë euro në vitin 2022.
Por në 19 janar të këtij viti, aktori ka njoftuar Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB) se ka vendosur të pezullojë për një afat të pacaktuar veprimtarinë tregtare të shoqërisë “Echotec Energy Service”, një prej kompanive që do të bashkëpunonte në ndërtimin e hotelit me 5 yje në një sipërfaqe prej 25 mijë metra katrorë. Në dokumentin e siguruar nga Boldnews nuk jepen arsyet e këtij vendimi.
Për marrjen e statusit të ‘investitorit strategjik’, Paja deklaronte në 2024 se ky status, është një e drejtë që ia jep ligji në bazë të vlerës së investimit dhe se kusht për këtë është dakordësia e të gjithë pronarëve të tokës ku do të bëhej investimi. Aktori deklaronte se i ishin afruar pronarët e tokave në Dhërmi dhe i kishin kërkuar ndihmë që të gjente një ndërtues. Kështu, sipas tij, kishte marrë edhe statusin pasi kompanitë e kontaktuara prej tij i përmbushnin të gjitha kushtet.
Më herët aktori është akuzuar nga Partia Demokratike se ka përfituar statusin e investitorit strategjik për të ndërtuar një resort. Vetë aktori ka pohuar se ka marrë statutin e investitorit strategjik, por theksoi se nuk ka përfituar tokë nga shteti.
"Investitori strategjik ka të bëjë me një situatë që unë nuk i rashë në qafë shtetit si çdo qytetar i republikës. Mu dha mundësia që me disa banorë të Dhërmiut të gjeja disa toka, kërkova ndihmën e disa miqëve të mi privatë që t'i futeshim kësaj gjëje. Investitorin nuk e kam marrë unë por kompanitë që plotësonin kushtet që kishte vënë qeveria,"-shprehej Paja asakohe.
Kujtojmë se në shkurt të vitit 2025, Gazmend Paja është thirrur në Prokurorinë e Posaçme, por ende nuk dihet shkaku i paraqitjes së tij në SPAK./ZËRI

