KOSOVË-Valon Ademi, aksioner në ndërtimin e Aeroportit të Vlorës është përfshirë në një konflikt fizik me Sokol Havollinë, Drejtor i Investimeve Kapitale në Prishtinës. Ngjarja ka ndodhur mbrëmjen e 30 janarit në një lokal në qendër të kryeqytetit.
Pas një mosmarrëveshjeje mes tyre, konflikti është përshkallëzuar në dhunë fizike, ku Valon Ademi akuzohet se e ka sulmuar dhe goditur me grusht në fytyrë Havollin, duke i shkaktuar lëndime. Nga Policia e Rajonit të Prishtinës kanë konfirmuar se rasti është inicuar si “Lëndim i lehtë trupor”.
“Ju njoftojmë se rasti është raportuar në polici dhe në koordinim me Prokurorin e Shtetit është hapur rast për veprën penale “Lëndim i Lehtë Trupor”. Të gjitha veprimet e radhës do të ndërmerren në koordinim me Prokurorin e Shtetit”, thuhet në përgjigjen e Policisë për Reporteri.net.
Sokol Havolli ka mbajtur më herët funksione të rëndësishme publike në Kosovë, përfshirë postin e zëvendësguvernatorit të Bankës Qendrore të Kosovës dhe drejtuesit të ndërmarrjes publike “Parking Prishtina”. Ai ka qenë gjithashtu kandidat për deputet në zgjedhjet e fundit parlamentare.
Nga ana tjetër emri i biznesmenit Valon Ademi është përmendur muajve të fundit në Shqipëri për shkak se u lidh me disa investime të përfolura rreth Aeroportit të Vlorës. “2A Group” në pronësi të biznesmenit Valon Ademi, është bashkëaksionere në aeroportin e Vlorës u përfshi në një konflikt me biznesmenin nga Kosova Behgjet Pacolli. Thelbi i konfliktit të dy ortakëve në ndërtimin e aeroportit ka qenë ndarja e aksioneve, ku Ademi zyrtarisht ka 2% të tyre, por pretendon 47%.
Aksioneri i minorancës në këtë koncesion, Valon Ademi ka akuzuar publikisht Behgjet Pacollin për mashtrim. Mes palëve ekziston gjithashtu një kontratë noteriale, e firmosur menjëherë pas largimit të grupit turk YDA nga koncesioni i aeroportit. Ky grup kishte në pronësi 40 për qind të aksioneve të aeroportit të Vlorës, të cilat formalisht ia shiti kompanisë Mabco të Behgjet Pacollit për shumën simbolike prej 4200 eurosh. Po atë ditë, Mabco dhe 2A Group nënshkruan një marrëveshje të re për ndarjen e aksioneve, duke përcaktuar që Mabco të zotëronte 53 për qind dhe 2A Group 47 për qind të tyre. Megjithatë, këto kontrata nuk janë regjistruar ende në Qendrën Kombëtare të Biznesit (QKB).
Konflikti mes tyre ka ka përfunduar tashmë në dyert e gjykatave, e cila nga ana e saj ka bllokuar çdo lëvizje me aksionet e kompanisë./ZËRI


