
TIRANË- Ministria e Mbrojtjes ka dhënë një përditësim të fundit për zjarrin që është riaktivizuar në fshatin Darëzezë e Re. Sipas Ministrisë së Mbrojtjes është riaktivizuar vatra e zjarrit e fikur një ditë më parë në pyllin e Darëzezës. Edhe pse në vendin ku ndodhet vatra e zjarrit, 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë, një buldozer dhe një fadromë nuk mund të ndërhyjnë për shkak të terrenit ranor. Ndaj edhe është kërkuar ndërhyrja nga helikopteri tip Cougar i Forcës Ajrore.
NJOFTIMI I MINISTRISË:
Sot në mesditë, në fshatin Darëzezë e Re, njësia administrative Dërmenas, bashkia Fier, është riaktivizuar vatra e zjarrit e fikur një ditë më parë në pyllin e Darëzezës. Në vendngjarje ndodhen 7 automjete zjarrfikëse me 40 efektivë të MZSH, një buldozer dhe një fadromë, por për shkak të terrenit ranor dhe përmasave të mëdha që ka marrë zjarri, situata në ekonominë pyjore të Darëzezës nuk është vënë ende nën kontroll. Rreth orës 14:00, vatra e zjarrit është përhapur më tej dhe është bërë e pamundur ndërhyrja me mjete zjarrfikëse. Në koordinim me Qendrës së Bashkuar Operacionale (QBO), është nisur në mbështetje helikopteri tip Cougar i Forcës Ajrore për ndërhyrje nga ajri.
Sipërfaqja e përfshirë nga flakët është rreth 10 hektarë, ndërsa era po favorizon avancimin e zjarrit në pjesën veriore të pyllit./ZËRI