
TIRANË- Risena Xhaja është zgjedhur në postin e drejtoreshës së Agjensisë së Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara (AAPSK), ndërsa më herët ka pasur një eksperiencë të gjatë në administratën publike. Detyra më e fundit që Xhaja ka mbajtur ka qenë ajo e Sekretares së Përgjithshme në Ministrinë e Financave, që nga marsi i vitit 2023 deri në gusht të vitit 2024.
Po ashtu ajo ka qenë pjesë për shumë vite e Agjensisë Shtetërore të Kadastrës, si dhe ka mbajtur postin e Drejtoreshës së Komanduar në Agjencinë për menaxhimin e garancive dhe kredive shtetërore të pakthyera (AMGKP).
Agjensia e Administrimit të Pronave të Sekuestruara dhe Konfiskuara, deri tani drejtohej nga Idriz Haxhiaj, ndërsa institucioni në fjalë është në varësi të Ministrisë së Brendshme.
CV-ja e Xhajës
Me një karrierë thuajse 20-vjeçarë në administratën publike, Xhaja ka qëndruar nga viti 2019 deri në 2023 në pozicionin e Zv.Drejtorit të Përgjithshëm të Agjencisë Shtetërore të Kadastrës, si edhe Drejtues i strukturës së Apelimit dhe Bashkëqeverisjes dhe Drejtues i komanduar në dy Drejtori Vendore të këtij institucioni.
Në vitin 2019 ka mbajtur pozicionin e Sekretares së Përgjithshëm në Ministrinë e Kulturës. Anëtare e organit këshillimor pranë Ministrit të Drejtësisë për ekzekutimin e vendimeve penale, Kryetare e Bordit te Universitetit të Arteve nga viti 2019 deri në vitin 2022.
Në vitin 2013 Drejtor i Drejtorisë Juridike dhe Marrëveshjeve dhe nga viti 2016 deri në vitin 2019 në pozicionin e Drejtorit të Përgjithshëm Ekonomik dhe Shërbimeve Mbështetëse, pranë Ministrisë së Kulturës, njëkohësisht në këtë periudhë ka ushtruar funksionin e inspektorit të jashtëm financiar pranë Ministrisë së Financave.
Xhaja e nisi karrierën e saj në administratën publike në qershor 2002, në Drejtorinë Juridike, pranë Ministrisë së Kulturës, Rinisë dhe Sporteve, ku edhe në vijim, nga viti 2006 ushtroi funksionet e Drejtorit në Drejtorisë Juridike, Marrëdhënieve me Jashtë dhe Integrimin në Ministrinë e Kulturës.