
TIRANË- Rrëmbimi dhe vrasja e Jani Prengës, nis në GJKKO seanca për Dritan Rexhepin. Sot togat e zeza relatuan një letërporosi që ka mbërritur në Shqipëri për marrjen në pyetje në cilësinë e dëshmitarit, të vëllait të Jan Prengës, Astrit Prenga (vëllai i viktimës) dhe Gëzim Shullanit. Në seancën e sotme është kërkuar si Prenga dhe Shullani, të merren në pyetje me video-konferencë. Por, trupa gjykuese ka kërkuar që Prokuroria të gjejë adresat e sakta të personave që do të merren në pyetje dhe jo të shënohet thjesht "Londër".
Ndërsa të tjera kërkesa kanë pasur homologët britanikë. Në një shkresë depozituar për Ministrinë e Drejtësisë, shkruhet: Para se të rishqyrtojmë kërkesën tuaj, duam të dimë statusin penal të personave që do dëshmojnë, detaje mbi pyetjet që do t’u jepen shpjegime, akuzat për të cilat duhen marrë në pyetje dëshmitarët, sesi mund të shërbejë dëshmia e tyre në hetimin e SPAK. Të ngarkohet policia britanike për të bërë pyetjet që autoritetet shqiptare do të na vënë në dispozicion.
Gjithashtu, gjatë seancës prokurori i SPAK, Behar Dibra deklaroi se ka nisur disa letërporosi tek autoritetet e huaja për të siguruar kodet dhe komunikimet në "SkyECC" për persona të tjerë të përfshirë në çështjen e rrëmbimit dhe zhdukjes së Jan Prengës. Deri më tani janë dorëzuar tre kode të aplikacionit "SkyECC". Kodet përkojnë me llogaritë e Gentian Funiqit, Altin Hajrit dhe Dritan Rexhepit.
Por teksa u ndalën tek aplikacionit i koduar, avokatët mbrojtës kërkuan që të dinin nëse hetuesit kishin kërkuar informacione të tjera lidhur me klientët e tyre.
DISKUTIMET NË SALLË:
Prokurorja Elida Kaçkini: Për momentin kemi vetëm këto prova e fakte të mbledhura dhe komunikimet në SkyECC.
Avokatja Joana Qeleshi (av. e Dritan Rexhepit): A janë të plota komunikimet në Sky apo janë të pjesshme? Duhet ta dimë. Këtë duam të dimë. Keni dy procedime që thoni që janë marrë.
Prokurorja Kaçkini: Janë akte që janë marrë në procedime të tjera. Komunikimet janë edhe këto komunikime elektronike. Nuk janë të gjitha por janë vetëm komunikime që i përkasin çështjes.
Prokurori Behar Dibra: Janë të plota për këtë çështje dhe nuk kemi për të sjellë të tjera. Në kuadër të kësaj procedure kemi dërguar një tjetër letër porosi, për të pandehur të tjerë, do i marrim dhe do ua vendosim në dispozicion.
Në këto kushte, Gjykata duhet të marrë vendim nëse do t’u vihet në dispozicion mbrojtësve komunikimi i plotë nga aplikacioni "SKY ECC". Palët ranë dakord mbi vijimin e procedurës, ndërsa seanca e radhës u caktua për datën 20 qershor, ora 10:00.
Vrasja e Prengës erdhi pas vjedhjes së 260 kg kokainë nga vëllai i viktimës në Portin e Portsmuthit. Kokaina u vodh nga Astrit Prenga, Gëzim Shullani, Xhuliano nga Shkodra dhe një rumun. Pronarët morën hakun në Shqipëri! Fillimisht u vu në pranga tetë persona, kryesisht anëtarë të familjes Hajri, por ata u liruan një e nga një. Për gjykim u dërguan: Dritan Rexhepi, Gentjan Funiqi, Martin Bleta e Korado Kështeja. Gjithashtu të pandehur janë marrë Artan Doçaj, Aldo Majnishta dhe Geraldo Martini, SPAK pretendon se Dritan Rexhepi dhe Gentjan Funiqi (Doçaj) kanë urdhëruar rrëmbimin, ndërsa organizimi është kryer nga të pandehurit Martin Bleta e Korado Keshteja. Rrëmbimi është bërë në Shqipëri në datën 17.01.2020, nga të pandehurit Artan Doçaj, Aldo Majnishta, Geraldo Martini dhe një person tjetër i paidentifikuar. Edhe sot, trupi i Jani Prengës nuk është gjendur akoma.../ZËRI