Aktualitet

Rritja e naftës, Shoqatat e Transportit Urban dhe Interurban: Nga nesër reduktojmë flotën me 20–30%

Në njoftim thuhet se reduktimi i flotës pritet të sjellë ulje të frekuencës së autobusëve, rritje të intervaleve mes linjave dhe më shumë vështirësi për qytetarët, ndërsa operatorët paralajmërojnë se masa nuk është një zgjedhje vullnetare, por pasojë e situatës financiare.

F.I
Rritja e naftës, Shoqatat e Transportit Urban dhe Interurban: Nga
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Shoqatat e Transportit Urban dhe Interurban nga nesër kanë paralajmëruar reduktim të flotës së autobusëve me rreth 20-30%. Në një letër drejtuar Kryeministrisë, Bashkisë së Tiranës, Ministrisë së Infrastukturës dhe asaj të Financave, Shoqata e Transportit Qytetas dhe Shoqata e Transportit Urban dhe Interurban, deklarojnë se shkak për reduktimin e urbanëve janë bërë kostot e larta të karburantit. 

Sipas tyre ende nuk ka jë kompesim apo përgjigje për kërkesat e ngritura dhe është e pamundur të përballojnë kostot ditore të operimit të të gjithë flotës së mjeteve. Në njoftim thuhet se reduktimi i flotës pritet të sjellë ulje të frekuencës së autobusëve, rritje të intervaleve mes linjave dhe më shumë vështirësi për qytetarët, ndërsa operatorët paralajmërojnë se masa nuk është një zgjedhje vullnetare, por pasojë e situatës financiare.

Operatorët i kërkojnë institucioneve ndërhyrje urgjente për realizimin e kompensimeve dhe vijimin e mbështetjes për kostot e karburantit.

"Pavarësisht kërkesave dhe komunikimeve të vazhdueshme të adresuara pranë institucioneve përgjegjëse lidhur me kompensimin e kostove të karburantit, operatorët vijojnë të përballen me mosrealizimin e kompensimit, ndërkohë që për një pjesë të kërkesave dhe problematikave të ngritura nuk është dhënë ende një përgjigje apo një zgjidhje konkrete institucionale. Kjo situatë, e kombinuar me nivelin e lartë të kostos së karburantit dhe shpenzimet e tjera të domosdoshme për funksionimin e aktivitetit, ka cenuar ndjeshëm likuiditetin financiar të operatorëve dhe mundësinë e tyre për të përballuar kostot ditore të operimit të të gjithë flotës së mjeteve.

Për këtë arsye, njoftojmë se duke filluar nga data 01.09.2026, operatorët e transportit publik do të detyrohen të operojnë me një flotë të reduktuar në masën rreth 20–30%, në varësi të kapacitetit financiar dhe operacional që secili operator ka aktualisht në dispozicion. Masa e reduktimit nuk përbën një zgjedhje të operatorëve dhe as një mungesë vullneti për garantimin e shërbimit normal të transportit publik. Ajo është një pasojë e drejtpërdrejtë e pamundësisë financiare për të mbuluar kostot e operimit me flotë të plotë, sidomos kostot e karburantit, të cilat përbëjnë një nga zërat kryesorë të aktivitetit. Reduktimi i mjeteve në qarkullim pritet të sjellë në mënyrë të pashmangshme ulje të frekuencës së shërbimit, rritje të intervaleve ndërmjet mjeteve, mbingarkesë të mjeteve që do të mbeten në qarkullim dhe vështirësi për qytetarët që përdorin çdo ditë transportin publik.

Në këto kushte, u kërkojmë institucioneve përgjegjëse që të ndërhyjnë me urgjencë, të japin një përgjigje konkrete mbi kërkesat e paraqitura nga operatorët dhe të mundësojnë realizimin e kompensimit të parashikuar për kostot e karburantit, si dhe vijimin e mbështetjes për periudhën në vazhdim. Operatorët kanë bërë dhe vijojnë të bëjnë çdo përpjekje për të garantuar vazhdimësinë e shërbimit, por në kushtet aktuale financiare operimi me 100% të flotës nuk është më i përballueshëm. Për sa më lart, kërkojmë trajtimin me prioritet dhe urgjencë të kësaj situate, me qëllim shmangien e përkeqësimit të mëtejshëm të shërbimit të transportit publik dhe rikthimin sa më parë të kapacitetit të plotë operacional,"-thuhet në kërkesë.

Rritja e naftës, Shoqatat e Transportit Urban dhe Interurban: Nga

Rritja e naftës, Shoqatat e Transportit Urban dhe Interurban: Nga

Poll

MOS HUMB