
BULQIZË-Vijon të jetë situata e rënduar në të gjithë rrethin e Bulqizës ku rrugët janë nën pushtetin e dëborës dhe ngricave. Si pasojë e situatës së rënduar shumë fshatra të njësive administrative Ostren, Trebisht, Zerqan, Martanesh, Fush Bulqizë, Shupenz janë të bllokuar. Në fshatrat e bllokuar ka dhe persona të sëmurë, ku rasti i një fëmije ka sjellë ndërhyrjen e Forcave të Armatosura për transportimin e tij drejt spitalit të Bulqizës.
Njoftimi:
Efektivët e Batalionit të Tretë të Këmbësorisë të Regjimentit të Këmbësorisë së Veriut të Forcës Tokësore kanë përfunduar me sukses operacionin për transportimin e një fëmije të sëmurë nga fshati Ostren i Bulqizës drejt spitalit të Bulqizës. Fëmija u transportua fillimisht me mjetin ushtarak të Batalionit të Tretë, ku më pas u krye kalimi në ambulancë për të vijuar drejt spitalit. Ky operacion është një shembull i përkushtimit dhe humanizmit të Forcave të Armatosura, të cilat qëndrojnë gjithmonë pranë qytetarëve në çdo situatë emergjente./ZËRI