Aktualitet

Gjykata e Lartë lë në burg Salianjin, ish-deputeti i PD-së: Duan të më eleminojnë nga beteja politike

Salianji kërkoi në Gjykatën e Lartë rrëzimin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit që e dënoi me 1 vit burg

F.I
Gjykata e Lartë lë në burg Salianjin, ish-deputeti i PD-së:
Ervin Salianji

TIRANË-Gjykata e Lartë nuk ka pranuar rekursin e ish-deputetit të PD-së, Ervin Salianji, i dënuar me 1 vit burgim të formës së prerë nga Apeli i Tiranës, për dosjen “Babale”. Salianji kërkoi në Gjykatën e Lartë rrëzimin e vendimit të dhënë nga Gjykata e Apelit që e dënoi me 1 vit burg, duke lënë në fuqi vendimin e dhënë më parë nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë. Por kërkesa e tij u rrëzua.

'Mospranimin e rekurseve të paraqitura nga të giykuarit Jetmir Olldashi dhe Ervin Salianji, kundër vendimit nr.2059/30-2024-6822, datë 26.09.2024, të Gjykatës së Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm”,. thuhet në njoftimin e shkurtër për mediat.

Në një reagim pas vendimit të Gjykatës, Salianji shprehet se nuk është i habitur. Sipas tij ky dënim është bërë me qëllimin për ta eleminuar nga beteja politike si edhe është një këcënim për këdo që lufton krimin, korrupsionin dhe mafien në pushtet. 

REAGIMI:

Lënia në fuqi e një ndëshkimi të nxitur, kërkuar dhe stisur nga Edi Rama e draftuar prej tij, e lajmëruar prej tij në Parlament, mbrojtur me zjarr prej tij, është rruga e shkurtër dhe komode që Gjykata e Lartë zgjodhi sot. Nuk kanë etikë profesionale dhe as guximin minimal që të japin drejtësi e të hyjnë në konflikt me Edi Ramën. Kjo është një vijë sjellje. Nëse Gjykata e Lartë do të ishte garanci për të drejtën, do të ishte garanci për proces juridik të rregullt e të ligjshëm, as gjykatat më poshtë s'do të guxonin të firmosinin farsat që firmosen. Dënimi im politik bëhet për të më eleminuar nga beteja politike! Ne çdo përballje e kam mundur Edi Ramën dhe shpurën e tij. Më e fundit në Kavajë në fitoren e bashkisë, e kudo tjetër. Denimi im politik është kërcënim i hapur për cilindo që lufton krimin, korrupsionin dhe mafien e veshur me pushtet. Dënimi im politik është një mbështetje e hapur ndaj mafies dhe trafikantëve ndërkombëtarë. Koha e zgjedhur për të dhënë vendimin një ditë para shpalljes së listave është po ashtu një mesazh kërcënimi për këdo guxon e flet të vërtetat! Në këto kohë parade turpi, kohë aferash të renda financiare, unë jam me zero korrupsion, zero akuzë për asnjë qindarkë. Ndaj, burgosja për denoncimin, për fjalen, është një medalje. Jam krenar për betejat e mia në interes të njerëzve. Kam zgjedhur që në fillim luftën e pakompromis dhe qytetarët më kanë mbeshtetur për këtë. Gjykimet ndaj meje do hyjnë në turpet historike, të kauzeve gjyqësore si rast i përdorimit të drejtësisë për hakmarrje personale nga Rama e Xhafaj. E nisën duke paguar deshmitarë të sajuar, u kapen në pergjime drejtorët e policisë duke paguar dëshmitarin e sajuar, manipuluan në gjykata duke caktuar gjyqtar si fillim ushtarin e Aldo Bares, me pas me kunatën e Belinda Ballukut dhe ish përfaqesuesin e PS në KQZ dhe sot duke manipuluar shortin në Gjykatë të Lartë, zëvëndësuan trupën gjyqësore e lanë për të më gjykuar ish-ministrin e drejtësisë së Partisë Socialiste dhe një komunist, birin e ish-drejtorit të dëbim internimeve dhe ish-sekretar të parë! Nuk janë këto institucionet që meritojmë, nuk janë shtet i së drejtës dhe as sundim i ligjit. Për cilindo që shqetesohet i them ta marrë paradhënie dhe zvarritjen dhe vendimin kundër në Gjykatë Kushtetuese, dhe më pas do shohim se si do jetë e drejta në Strasburg. Unë do të luftoj e do ta kërkoj të drejten deri në fund. Shqipëria do të jetë nje vend më i mirë kur të ketë drejtësi, kur Gjykatat do të kenë kurajon të japin drejtësi edhe kur kjo nuk i pelqen autokratit. Ky vend i mirë mund të duket utopi, por nuk është e largët dita ku dhe për drejtësinë fjalën e madhe do ta kenë qytetarët. Pavarësisht se nga izolimi së bashku do të luftojmë për një Shqipëri të denjë e normale ku sundon ligji! Personalisht zgjedh betejën dhe jo qurravitjet! Nderin dhe respektin e qytetarëve e kam fituar unë, turpin dhe neverinë e hanë me korrupsionin e përditshëm “të burgosurit” e autokratit, që nuk kanë as ndërgjegje dhe as guxim të shkojnë as në tualet pa lejen e tij!

Më 27 shtator, ish-deputeti demokrat u vetëdorëzua vullnetarisht në Polici, për t'u tranferuar më pas në burgun e Fierit, ku edhe do të vuajë dënimin me 1 vit heqje lirie për çështjen “Babale”. Gjyqi zgjati për disa vite për një denoncim mediatik që demokrati kishte bërë ndaj Geron Xhafajt, vëllait të ish-ministrit të Brendshëm, Agron Xhafaj, lidhur me trafikun e drogës dhe një dënim të pakryer në Itali. Por Salianji u dënua për kallëzim të rremë. Aktualisht, ish-deputeti i Partisë Demokratike Ervin Salianji po kryen dënimin në burgun e Fierit./ZËRI

Poll

MOS HUMB