Aktualitet

Sekuestrohet “Lamborghini” me vlerë 160 mijë euro në Tiranë, pronari ‘kriminel përsëritës’

Sahit Shpataj, i arrestuar në 2014 pasi vishej si polic dhe ndalonte e grabiste çiftet në postbllok

E.K
Sekuestrohet “Lamborghini” me vlerë 160 mijë euro në
mjeti i sekuestruar

TIRANË- Policia e Tiranës ka sekuestruar një mjet luksoz, pasi dyshohet se është përfituar nga aktiviteti i paligjshëm i pronarit të saj. Mjeti “Lamborghini” me një vlerë prej 160 mijë eurosh, është në pronësi të shtetasit Sahit Shpataj, por për t’i shpëtuar gjurmimit, ishte regjistruar në llogari të një kompanie private. Shpataj rezulton i dënuar më parë për disa akuza, përfshirë vjedhjen dhe dhunën në familje. Në vitin 2014, emri i tij ka dalë në skenë për disa vjedhje në kryeqytet, pasi ndalonte makinat duke u shtirur si punonjës i policisë rrugore. Policia ka vënë nën hetim përveç Shpatajt dhe pronarin e kompanisë, në emrin e të cilit ishte regjistruar mjeti luksoz.

NJOFTIMI I POLICISË

Finalizohet operacioni policor i koduar “Manovra”, me objektiv gjurmimin e aseteve të përfituara nga krimit.

Sekuestrohet automjeti “Lamborghini Urus” i një 34-vjeçari me precedent për disa vepra penale, ndër to, vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore.

34-vjeçari dyshohet se e kishte regjistruar automjetin me vlerë rreth 160 000 euro, në emër të një kompanie, për të shmangur gjurmimin dhe për të justifikuar vlerën.

Vihen në hetim 34-vjeçari dhe pronari i kompanisë.

Në vijim të operacioneve policore që kanë qëllim gjurmimin dhe sekuestrimin e pasurive me burime kriminale, specialistët e Seksionit për Hetimin e Pastrimit të Parave dhe Aseteve, në bashkëpunim me shërbimet e Forcës së Posaçme “Shqiponja”, finalizuan operacionin “Manovra”.

Në kuadër të operacionit, u ndalua në aksin rrugor “Sauk-TEG”, automjeti tip “Lamborghini Urus”, me drejtues shtetasin S. Sh., 34 vjeç, me precedentë për vjedhje nëpërmjet përvetësimit të padrejtë të detyrës shtetërore, dhunë në familje dhe kundërshtim të punonjësve të Policisë.

Nga verifikimet e mëtejshme dyshohet se ky shtetas e kishte regjistruar këtë automjet, në emër të një subjekti tregtar në pronësi të shtetasit E. D., me qëllim justifikimin e vlerës së tij.

Në vijim të veprimeve procedurale nisi procedimi penal për të 2 këta shtetas.

Vijojnë hetime për të gjurmuar dhe sekuestruar pasuri të tjera të shtetasit S. Sh.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Tiranës, për veprime të mëtejshme.

Poll

MOS HUMB