LIBRAZHD- Është hapur qarkullimi në rrugën Librazhd-Qafë Thanë, pas 7 orësh e bllokuar në të dyja drejtimet prej disa orësh, si pasojë e rrëshqitjes së një masivi dheu dhe gurësh nga mali në zonën e njohur si "Kthesat e Dragostunjës". Mësohet se që prej orës 11:00 qarkullimi në këtë aks ka qenë totalisht i bllokuar, duke shkaktuar kaos dhe radhë të gjata automjetesh në të dy drejtimet. Ndërsa, në orën 18:00 të mbrëmjes, njëra prej korsive është hapur.
Në terren ndodheshin shërbimet e Policisë Rrugore që monitoruan situatën, për të shmangur trafikun, edhe pse rezultoi e pamundur për më shumë se 7 orë. Prej orësh, fadromat në terren kanë punuar me qëllim pastrimin dhe stabilizimin e zonës, për të mundësuar hapjen e qarkullimit të mjeteve në njërën anë të rrugës, ndërsa episode aspak të vështira janë regjistsruar gjatë trafikut kilometrik. Bllokimi i rrugës ka prekur edhe një auto-ambulancë e cila po transportonte një grua të sëmurë, që po dërgohej drejt Spitalit të Elbasanit. Në kushte të tilla, transportimi i saj me barrelë është bërë duke kaluar përmes lumit nga ana tjetër e rrugës.
Ndërkohë, prefekti i Qarkut Elbasan, Ilir Bejtja, u shpreh për mediat se pastrimi i rrugës ishte i vështirë, pasi problematika është që rrëshqitja e dherave vijon nga sipër kodrës.
"Në vend janë duke punuar mjetet dhe punonjësit e firmës ANK që punon për korridorin e 8 dhe firmës kontraktuese 2T që mirëmban aksin rrugor Elbasan-Qafë Thanë. Po punojnë 4 ekskavatorë dhe një fadromë. Po punohet për të hapur qarkullimin e mjeteve në njërën anë të aksit rrugor.", tha ai.
Autoritetet rrugore apelojnë për kujdes maksimal nga drejtuesit e mjeteve, duke theksuar rëndësinë e respektimit të sinjalistikës dhe paralajmërimeve në zonat ku kryhen punime për hapjen e plotë të rrugës./ZËRI