TIRANË- Këngëtari dhe ish-banori i Big Brother Vip, Jozefin Marku ka reaguar lidhur me ngjarjen e ndodhur më 26 gusht në fshatin Gurëz, Fushë Kuqe, ku një sasi tritoli shpërtheu në portën e jashtme të banesës së komshijes së tij. Burime bënë me dije se atentati kishte në shenjestër banorin e BBV, por ky i fundit e ka mohuar si fakt.
"Rreth asaj që po flitet për mua, nuk është e vërtetë. Organet shtetërore kanë nxjerrë një deklaratë shumë të qartë se ku ka ndodhur, ndërsa portalet hamendësojnë sikur të ishin pjesë e asaj ngjarjeje, ishte për të e për atë. Ju detyrohem t’ju sqaroj që nuk qëndron kështu e vërteta. Faleminderit për secilin nga ju që ka shprehur merakun me mesazhe“, tha Marku.
Më herërt Policia ka marrë dëshminë e babait të Jozefin Markut, ish-banor i Big Brother Vip Albania. I ati i Jozefin Markut ka mohuar të ketë probleme me ndonjë person, ndërsa sa i përket ndonjë konflikti të mundshëm të djalit të tij ka pretenduar se nuk ka asnjë dijeni.
Shpërthimi me tritol u regjistrua mëngjesin e ditës së djeshme më 26 gusht në fshatin Gurëz, Fushë Kuqe, ku lënda plasëse ka shpërthyer në portën e jashtme të banesës në pronësi të shtetases M. D, alias M. B, komshije me këngëtarin Jozefin Marku. Gruaja rezulton nga të gjitha hetimet se nuk ka konflikte, ndërsa dyshimet janë ngritur se shënjestër e atentatit të ketë qenë Jozi. Gjatë kontrollit të zonës përreth, hetuesit gjetën dhe sekuestruan disa gëzhoja, në dukje të vjetra, të cilat janë marrë në cilësinë e provës materiale./ZËRI