SARANDË- Një incident i dhunshëm është regjistruar mbrëmjen e së premtes, rreth orës 23:00, në Sarandë, ku disa persona janë përfshirë në një konflikt fizik në lagjen nr. 3, pranë zonës së njohur si “Ekualipsi”.
Sipas informacioneve paraprake, debati mes palëve ka degraduar në përleshje, ku janë përdorur grushte dhe mjete të forta. Për pasojë, disa prej të përfshirëve kanë pësuar lëndime dhe janë paraqitur në spital për të marrë ndihmën e nevojshme mjekësore.
Menjëherë pas njoftimit, në vendngjarje kanë mbërritur forca të shumta të policisë, të mbështetura edhe nga efektivë të FNSH-së. Gjatë ndërhyrjes janë shoqëruar 6 persona, të cilët po merren në pyetje lidhur me rrethanat e ngjarjes.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e plotë të konfliktit, identifikimin e përgjegjësive dhe dokumentimin e çdo veprimi të kryer nga personat e përfshirë./ZËRI