Aktualitet

Sherr në një lokal në Kamëz, efektivi i FNSH ndërhyn për të mbrojtur shokun! Pezullohen 2 policë

Policët dyshohet se nuk kanë kryer veprimet e nevojshme për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt.

F.I
Sherr në një lokal në Kamëz, efektivi i FNSH ndërhyn
FOTO ILUSTRUESE

TIRANË-Një konflikt në një lokal në Kamëz mbrëmjen e së hënës ka sjellë pezullimin nga detyra të dy punonjësve të policisë. Efektivët konkretisht dyshohen për mosveprim dhe moskryerje të procedurave të plota pas ngjarjes.

Konkretisht raportohet se, pjesë e sherrit ka qenë edhe një efektiv i Forcës së Ndërhyrjes së Shpejtë (FNSH), i cili ndodhej jashtë shërbimit dhe po konsumonte kafe me dy persona të tjerë. Në një moment, në lokal kanë hyrë disa persona që janë konfliktuar fizikisht me një prej personave që ndodhej në tavolinë me efektivin.

Efektivi i FNSH ka ndërhyrë për të shuar sherrin dhe për të ndarë palët, ndërsa dëshmitarët okularë kanë njoftuar menjëherë policinë për ngjarjen. Rasti është trajtuar fillimisht si një konflikt banal, por gjatë verifikimeve janë konstatuar mangësi në veprimet procedurale. Policët e Komisariatit të Kamzës janë pezulluar nga detyra deri në sqarimin e plotë të rrethanave, pasi dyshohet se nuk kanë kryer veprimet e nevojshme për identifikimin e të gjithë personave të përfshirë në konflikt.

Në hetime është përfshirë edhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, ndërsa grupi hetimor po verifikon pamjet e kamerave të sigurisë për të zbardhur plotësisht dinamikën e ngjarjes, e cila ka ndodhur mbrëmjen e së hënës. 

 

Poll

MOS HUMB