Aktualitet

Sherri në Ksamil/ Dhunuan pronarin e “Euro Hotel”, 3 në pranga. Nën hetim 17-vjeçari dhe gruaja e të lënduarit

Për ngjarjen është proceduar penalisht edhe bashkëshortja e 46-vjeçarit të dëmtuar.

k.m.
Sherri në Ksamil/ Dhunuan pronarin e “Euro Hotel”, 3 në
Foto ilustruese

SARANDË- Tre persona janë arrestuar për dhunën barbare të ushtruar ndaj 46-vjeçarit Albert Pashaj. Në pranga ka përfunduar pronari i “Sunset Bar”, Agim Taraj, por edhe dy të tjerë të identifikuar si: Silvjan Sulku, 18 vjeç dhe Aldo Zeqiraj, 35 vjeç. Të arrestuarit dyshohen për veprën penale “plagosje e lehtë me dashje” pasi sulmuan pronarin e hotelit “Euro Hotel”.

PAMJET E SHERRIT: 


Nën hetim për këtë ngjarje është edhe një i mitur 17-vjeçar nga Kamza. Sipas Policisë, të arrestuarit dhe 17-vjeçari dhunuan me sende të forta Albert Pashajn, duke e lënë të gjakosur. Gjithashtu, nën hetim në gjendje të lirë edhe 40-vjeçarja O.Pashaj, e cila edhe pse nuk ka ushtruar dhunë, ka shkatërruar pajisje në “beach barin” e sipërmarrësit të arrestuar Agim Taraj.

NJOFTIMI I POLICISË:

Ksamil, Sarandë

Dhunuan me sende të forta, gjatë një konflikti për motive të dobëta, një 46-vjeçar, vihen në pranga 3 shtetas dhe procedohet në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një 17-vjeçar. Procedohet penalisht edhe bashkëshortja e 46-vjeçarit të dëmtuar, pasi shkaktoi dëme materiale në “beach bar”-in e njërit prej të arrestuarve.

Në vijim të zbardhjes së plotë të rrethanave të konfliktit të ndodhur ditën e djeshme, në Ksamil, dhe dokumentimit të plotë të ngjarjes, me qëllim vënien përpara përgjegjësisë penale të autorëve, specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Sarandë arrestuan në flagrancë, për veprën penale “Plagosje e lehtë me dashje”, kryer në bashkëpunim, shtetasit: A. T., 43 vjeç, banues në Berat, S. S., 18 vjeç, banues në Dibër dhe A. Z., 35 vjeç, banues në Durrës. Gjithashtu, u procedua penalisht në gjendje të lirë, për shkak të moshës, një shtetas i mitur, 17 vjeç, banues në Kamëz, Tiranë.

Nga hetimet rezultoi se këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, për motive të dobëta, kanë goditur me sende të forta, pranë një plazhi publik në Ksamil, shtetasin A. P., 46 vjeç, banues në Tiranë, duke i shkaktuar dëmtime trupore. Gjithashtu, lidhur me këtë ngjarje, u referuan materialet në Prokurori për veprën penale “Shkatërrimi i pronës” dhe nisi procedimi penal për shtetasen O. P., 40 vjeçe, pasi pas konfliktit kjo shtetase ka dëmtuar ambientin duke shkatërruar pajisje dhe sende të tjera në “beach bar”-in e shtetasit të arrestuar A. T. Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Sarandë, për veprime të mëtejshme.

Konflikti i dhunshëm u regjistrua mesditën e djeshme në plazhin e Ksamilit. Sherri ka ndodhur mes dy biznesmenëve, Agim Taraj pronar i ‘Sunset Restorant Ksamil’ dhe Albert Pashaj i dhunuari, i cili është pronar i ‘Euro Hotel Ksamil’. E gjithë ngjarja ka ndodhur në sy të fëmijëve dhe familjarëve të tjerë. I gjithë konflikti ka ndodhur mes dy biznesmenëve për vendosjen e plazhit para hotelit se kush do ta kishte në zotërim. Të dyja palët kishin aplikuar për të marrë leje për të njëjtën hapësirë pranë Agjencisë Kombëtare të Bregdetit. Albert Pashaj thotë ai bëri e fitoi të drejtën për të vendosur 52 çadra për hotelin me 26 dhoma, por Bashkia nuk i bëri matjet dhe Agjencia Kombëtare e Bregdetit e skualifikoi./ZËRI

Poll

MOS HUMB