TIRANË- Një grup kriminal i dyshuar për shitjen e armëve të zjarrit, lëndëve plasëse dhe municionit luftarak në zona të ndryshme të Tiranës është goditur nga policia.
Si rezultat i operacionit, 4 persona janë arrestuar, ndërsa 2 të tjerë janë shpallur në kërkim. Policia ka vënë në pranga Marsel Varka, Elsaed Maqinaj, Fabian Zako dhe Kristaq Biba, ndërsa Kevin Vila dhe Bledar Avdillari ndodhen në kërkim.
Gjatë operacionit janë sekuestruar 7 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Ndërsa në total gjatë periudhës hetimore janë arretuar 9 persona, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë.
Njoftimi i Policisë:
Tiranë/Finalizohet operacioni i koduar “Rrjeti”, për goditjen e një grupi kriminal që shiste armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion, në Tiranë.
Operacioni i finalizuar nga Komisariati Nr. 4, si rezultat i një hetimi me metoda proaktive, në drejtimin e Prokurorisë së Tiranës.
Vihen në pranga 4 shtetas dhe shpallen në kërkim 2 të tjerë.
Sekuestrohen 7 armë zjarri, municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit.
Gjatë të gjithë periudhës hetimore dhe aksioneve policore, me objektiv goditjen e veprimtarisë kriminale të këtij grupi, në total, janë vënë në pranga 9 shtetas, si dhe janë sekuestruar 17 armë zjarri, 4 kallëpë lëndë plasëse, sasi e madhe municioni, 4 automjete dhe 13 celularë.
Në vijim këtij hetimi, si dhe në kuadër të operacionit “Rrjeti”, shërbimet e Komisariatit të Policisë Nr. 4 ekzekutuan urdhrat e Prokurorisë së Tiranës, për ndalimin e shtetasve M. V., 35 vjeç, E. M., 25 vjeç, F. Z., 29 vjeç dhe K. B., 32 vjeç.
Më tej, u shpallën në kërkim shtetasit K. V., 21 vjeç dhe B. A., 28 vjeç.
Nga hetimet dyshohet se 6 shtetasit e identifikuar gjatë operacionit “Rrjeti”, së bashku me shtetasit e arrestuar më parë, D. J., F. Gj., U. M., L. M. dhe K. M., të organizuar si grup, kanë siguruar dhe kanë shitur në zona të ndryshme të kryeqytetit, armë zjarri, lëndë plasëse dhe municion luftarak.
6 shtetasve iu gjetën dhe iu sekuestruan me cilësinë e provës materiale, 7 armë zjarri (4 pistoleta dhe 3 automatikë), municion luftarak dhe sende të tjera që do t’i shërbejnë hetimit, i cili vijon për të identifikuar shtetas të tjerë të përfshirë në grup, si dhe për të dokumentuar plotësisht veprimtarinë kriminale të grupit.
Gjithashtu, vijon puna për kapjen e shtetasve të shpallur në kërkim.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
Ndërkohë, detaje të tjera janë zbuluar lidhur me këtë operacion. Sipas verifikimeve, 6 personat e lartpërmendur janë pjesë e dy grupeve të ndryshme kriminale që bashkëpunonin në këtë fushë. Ndërsa anëtarë të tjerë të këtyre dy grupeve ishin arrestuar edhe më parë në flagrancë gjatë aksioneve të mëhershme.
Sa i përket shitjes së armatimit, hetuesit kanë zbuluar dhe dokumentuar çmimet që aplikoheshin në tregun e zi. Bëhet fjalë për çmime që shkojnë deri në mbi 2 mijë euro. Pistoletat shiteshin prej tyre me çmime që shkonin deri në 1500 euro, ndërsa armët automatike të llojit kallashnikov kapnin vlerën deri në 2500 euro, në varësi të porosive.
Grupi kishte ngritur një rrjet të shtrirë në terren dhe bazat ku ata vepronin ose mbanin armatimin ishin të vendosura në disa zona të ndryshme të Tiranës, çka bënte që aktiviteti të ndryshonte shpesh lokacion për t’i shpëtuar vëzhgimit të policisë.
Sakaq, operacion vazhdon me kapjen e dy të shpallurve në kërkim, si dhe identifikimin e personave të tjerë të përfshirë.