GREQI-Një punëtor shqiptar ka humbur jetën dhe një tjetër ndodhet në gjendje kritike për jetën pas një shpërthimi në rafinerinë e naftës 'Motor Oil' në Agioi Theodoroi, pranë Korinthit, në Greqi, raportojnë mediat fqinje.
43-vjecari Robert Cakaj ka humbur jetën si pasojë e lëndimeve të marra, ndërsa vazhdon të trajtohet i intubuar kolegu i tij, 50-vjecari Dorian Hysa. Fillimisht, dy të plagosurit rëndë nga shpërthimi u dërguan në Spitalin e Korinthit, ku mbërriti edhe një person i tretë i plagosur. Më pas dy të plagosurit më rëndë u dërguan në Thriasio, ku njëri prej tyre vdiq.
Dy shqiptarët ishin pjesë e një kompanie të jashtme kontraktore që po kryente ndërhyrje në pajisjet industriale. Sipas informacioneve paraprake, gjatë punimeve në shkëmbyesit e nxehtësisë në njësinë U-607, një kapak metalik shpërtheu si pasojë e çlirimit të gazit nën presion, pa pasur ndezje apo zjarr.
Kompania Motor Oil konfirmoi vdekjen e punëtorit përmes një deklarate zyrtare.
“Me trishtim të thellë u informuam se njëri prej dy punonjësve të kompanisë kontraktore bashkëpunëtore, të cilët u plagosën rëndë në aksidentin e sotëm, ka ndërruar jetë, pavarësisht të gjitha përpjekjeve të mjekëve. Gjendja shëndetësore e të dytit mbetet kritike”, thuhet në deklaratë.
Drejtuesit e kompanisë shprehën ngushëllimet për familjen e viktimës dhe deklaruan se do t'i qëndrojnë pranë, ndërsa theksuan se po bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet për zbardhjen e shkaqeve të aksidentit.
Ndërkohë, policia greke shoqëroi në komisariatin e Agioi Theodoroi kontraktorin 59-vjeçar, përgjegjës për ekipin e jashtëm që po kryente punimet. Me urdhër të prokurorit, shoqërimi i tij u kthye në arrestim./ZËRI