TIRANË-Detaje të reja janë zbardhur nga operacioni i SPAK, ku u godit një organizatë kriminale që vepronte në zonën e Gjirit të Lalëzit në Durrës, e përfshirë në vrasje me pagesë dhe në tjetërsim të pronave përmes falsifikimit të dokumenteve. Në lidhje me këto të fundit në dosjen e siguruar ZËRI, zbardhet një bisedë mes Vullnet Muçës dhe vëllait të tij Aleksandër Lahos ose i njohur si “Rrumi i Shijakut”.
Komunikimi mes tyre është bërë në Sky ECC.
Vullneti:- Po asajt qe tha cil ti tregojm me ble.
Aleksandri:- Jepi cil dush….mblidh nai lek…
Vullneti: Do ti tregoj reren e bardh tjeter sdi, vetem po i tregum ate te Palit.
Aleksandri: Renci ka me mbledh nai lek….ate te Palit ke Gjoni thu’
Vullneti: Po ate te Palit pa 200 sja vlen me i dhen…apo ti them ktu para dylakut.
Më tej Aleksandër Laho i shkruan Vullnetit se për praktikat që kanë dyshime duhet të heqë origjinalen dhe në referencë te lerë fotokopjen dhe fotokopjes i vendos vulën e hipotekës, atë vulën origjinale dhe dokumenti merr fuqi ligjore por duhet të jetë në arkivë të hipotekës.
Në lidhje me aksionin u sekuestruan edhe pasuri të përfitura përmes dokumenteve të falsifikuara të Aleksandër Lahos. Bëhet fjalë për 11 pasuri me sipërfaqe totale 254.300 m² në zonën bregdetare të fshatit Shetaj në Durrës, që rezulton se është përfituar me dokumente të falsifikuara, të kryera nga një grup kriminal i drejtuar nga "Rrumi i Shijakut".
Grupi, falsifikonte dokumente, lëshimi i të cilave bëhet vetëm nga institucioni i Kadastrës në Këshillin e Qarkut Durrës, komisioneve të ndarjes së tokës në fshatrat, Lalëz, Shetaj, Bizë dhe Kërtushaj të rrethit Durrës si dhe të ish Zyrës Vendore të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme, Durrës. Ndërkohë, pronat i regjistronin në emër të fshatarëve të cilët nuk kishin dijeni. Të gjitha këto veprime janë kryer me qëllimin e vetëm, realizimi i përfitimit të paligjshëm përmes shitjes së këtyre pasurive te individë apo kompani të interesuara për investime në zonën bregdetare Lalëz dhe Shetaj (Rëra e Bardhë dhe Kepi i Rodonit).
Vetë Aleksandër Laho është shpallur në kërkim, ndërsa vëllai i tij Vullnet Muça ndodhet në burg./ZËRI
