Aktualitet

IKMT hedh “në erë” vilën tre-katëshe në Theth, flet pronari: Policia më rrethoi shtëpinë në 5 të mëngjesit

Në fjalën e tij për mediat ai tha se investimi që kishte bërë në këtë shtëpi ishte mbi 300 mijë euro.

l.k
IKMT hedh “në erë” vilën tre-katëshe në
Dedë Kola, pronari i vilës tre-katëshe në Theth

THETH- Mëngjesin e sotëm në Theth kanë zbarkuar dhjetëra forca policie bashkë me inspektorët e IKMT, IMT të bashkisë, forcat xhenio dhe fadroma në kuadër të aksionit “tokë e nxanun’ të kryeministrit Rama për prishjen e ndërtimeve pa leje. Aksioni ka vijuar gjatë gjithë ditës, ku bujtina të tëra janë shembur nga fadoromat. Një nga këto ishte edhe një vilë tre-katëshe, të cilës iu vendos eksploziv.

Pronari i këtij objekti, Dedë Kola është shprehur për mediat se policia erdhi në orën 5 të mëngjesit dhe i kërkuan të largoheshin menjëherë nga banesa. Në shtëpinë e tij erdhën 16 makina policie, duke rrethuar zonën “sikur të kisha vrarë 30 veta”, siç shprehet Deda. Në fjalën e tij për mediat ai tha se investimi që kishte bërë në këtë shtëpi ishte mbi 300 mijë euro.

'Erdhën që në 5 të mëngjesit, më kishin rrethuar shtëpinë. Më thanë të largohesha. Edhe sikur të kisha vrarë 30 veta, nuk do më kishin rrethuar ashtu shtëpinë. Ishin të paktën 16 makina policie. Nuk e kuptoj. Pse më shembin vendin që e kam trashëgim nga gjyshi, nuk kam konflikt pronësie me asnjë person. Po të kisha konflikt pronësie, do e kuptoja. Unë e kam ndërtuar shtëpinë në vitin 2023, sivjet vura çatinë. Mos të më linin ta ndërtoja. Dëmi këtu është mbi 300 mijë euro. Shteti duhet të më njohë pronën që më takon’, tha Dedë Kola.

Aksioni i lirimit të hapësirave publike ka nisur pothuajse në të gjithë vendin me urdhër të kryeministrit Edi Rama. Fenomeni “tokë e xanun”, sipas Ramës, nuk do të ekzistojnë më. Lidhur me këtë, ai ka bërë thirrje për të gjitha bizneset apo individët të cilët kanë zaptuar padrejtësisht hapësirat publike, t’i lirojnë menjëherë. Sakaq, kryeministri ka paralajmëruar se do të përballen me ligjin kushdo që e kundërshton aksionin. Ky aksion ka nisur prej ditësh në Vlorë, Theth, Tiranë dhe po zhvillohet në të gjitha qytet, duke përfshirë edhe kryeqytetin./ZËRI/

Poll

MOS HUMB