Aktualitet

Si u thyen kafazët e shtetit!

Ka nga ata të cilët kanë kaluar përtej kangjëllave, përtej dyerve të komisariateve, gjykatave me pranga në duar, me çarçaf, një tel, armë apo gishta...

fjona ibrahimi
Si u thyen kafazët e shtetit!
të dënuarit

TIRANË-Burgu një përvojë e karakterizuar nga izolimi, pa LIRI! Por sa kushton liria? ‘Të kërkosh lirinë me çdo kusht’, kjo është fjalia që mbetet pas rasteve të arratisjes, që në Shqipëri nuk janë pak. Rasti i Altin Ndocit ishte i fundit, ku pas 24 orëve nuk ka asnjë gjurmë prej tij. Ndoci pa pranga në duar, u arratis jashtë ambienteve të burgut, kur ndodhej në spital, por lista është e gjatë. Ka nga ata të cilët kanë kaluar përtej kangjëllave, përtej dyerve të komisariateve, gjykatave me pranga në duar, me çarçaf, me një tel, armë apo gishta…ku as muret e larta, gradianë e efektivë apo hekura nuk i kanë ndaluar për të rifituar "lirinë". ZËRI sjell një përmbledhje të disa prej arratisjeve në vend.

Si u thyen kafazët e shtetit!
Dritan Dajti

Dritan Dajti u arratis në mënyrë spektakolare nga dhoma e izolimit e Gjykatës së Tiranës, më 17 nëntor 2003, vetëm pak minuta para se të fillonte seanca kundër tij. Nga hetimet e mëvonshme rezultoi se gjithçka kishte qenë e planifikuar. Dajti mori një pistoletë në tualetin e gjykatës, e vendosur më parë nga miqtë e tij. Me këtë pistoletë, ai iu drejtua policëve të togës, që kishin për detyrë ta ruanin dhe qëlloi disa herë në ajër. Por nuk ngurroi që pistoletën t’ia drejtonte edhe prokurorit, që në ato moment po bëhej gati për t’u futur në sallën e gjyqit. Dajti u arratis me pranga në duar, doli nga dera kryesore e gjykatës, u rrëzua një herë, por policia nuk mundi ta neutralizojë. Ai hipi në një motor, që drejtohej nga një person tjetër, dhe u largua ndërkohë që një person tjetër ende i paidentifikuar, qëlloi disa herë me pistoletë në ajër në anën tjetër të rrugës, me qëllim tërheqjen e vëmendjes së policisë. Qëndroi 6 vite në arrati.

Si u thyen kafazët e shtetit!
Dritan Rexhepi

Në vitin 2006, Dritan Rexhepi organizoi të parën nga tre arratisjet e tij spektakolare duke hapur me gishta një bravë të prishur në dhomën e marrjes në pyetje. Rexhepi përfitoi nga një moment hutimi i efektivëve që e ruanin, të cilët me siguri nuk e njihinin potencialin e tij, për t’u larguar nga burgu. Sapo doli nga qelia e tij, Rexhepi ktheu xhupin nga ana tjetër për të ndryshuar ngjyrën, mori nën krah një dosje që gjeti mbi tavolinë dhe kaloi rojën tek dera. Alarmi dhe kërkimet në çdo skutë ishte më kot pasi Rexhepi tashmë ishte larg. Në vitin 2006 u arrestua teksa ndodhej në një hotel luksoz në Tiranë me një pistoletë pa leje. Arratisja e dytë u bë nga burgjet e Italisë dhe e treta nga ato të Belgjikës.

Si u thyen kafazët e shtetit!
Admir Tafili

Në nëntor 2013 të dënuarit Admir Tafili, Fran Pal Marashi, Gëzim Gjergj Guri, Gëzim Ndue Toma, Reiz Namik Haxhiraj, Eduard Kujtim Lula dhe Artur Demir Gora nën kërcënimin e armëve çarmatosën gardianët, qëlluan me breshëri kallashnikovi për mos afrimin e rojeve dhe më pas ikën nga burgu i Drenovës. Konkretisht rreth orës 19:00 të 23 nëntorit 2013, mësohet të burgosurit me katër armë kanë mundur të hyjnë në mes të rreshtit të parë të rojeve të burgut. Të armatosurit, pasi kanë kaluar gardhin e parë kanë trokitur në magazinën e armatimit të gardianëve dhe kanë detyruar magazinierin të iu vendosë në dispozicion armët që iu duheshin. Pasi kanë dalë nga rrethimi, të dënuarit janë ndarë në tre grupe. Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gëzim Guri janë larguar bashkë me një automjet, ndërsa Haxhiraj, Toma dhe Lula janë larguar bashkë. Tre të arratisurit, Admir Tafili, Fran Marashi dhe Gezim Guri, u arrestuan në një magazinë në periferi të Prrenjasit.

Si u thyen kafazët e shtetit!
Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri

Një skemë arratisjeje e mirëorganizuar u tentua që të vihet në zbatim nga tre të burgosur në qelitë e institucionit të vuajtjes së dënimit “Jordan Misja” (313) në kryeqytet në gusht të vitit 2021. Plani u vu në zbatim me tentativën e një të paraburgosuri për të prerë damarët, për të tërhequr në këtë mënyrë vëmendjen e stafit të burgut 313. Në momentin kur forcat e sigurisë janë angazhuar për ta shoqëruar në spital ka hyrë në veprim Arbër Çekaj dhe Fatmir Pjetri, të cilët kanë tentuar të arratisen gjatë orarit të ajrimit. Pikërisht në ato momente ata janë pikasur punonjësit e policisë së burgut, të cilët kanë marrë masat për kapjen dhe neutralizimin e tyre. Gjatë tentativës për të dalë, dy të paraburgosurit kanë goditur dhe një prej policëve të burgut 313. Të dënuarit do të largoheshin me litar të improvizuar duke lidhur çarçafët me njëri-tjetrin. Çekaj dhe Pjetri arritën të zbresin nga kati i tretë përmes një çarçafi të bërë gërshetë dhe në duar mbanin çengela hekuri. I pari zbret nga litari Pjetri, ndërsa pas tij bie edhe Çekaj dhe të dy kalojnë rrethimin. Në momentin që kalojnë rrethimin, ata u përballën me një polic, të cilin e goditën me çengel hekuri, por më pas u kapën nga policët e tjerë.

Si u thyen kafazët e shtetit!
Dan Hutra

Dan Hutra së bashku me 3 bashkëpunëtorët e tij, Martin Kapllani, Geraldo Veizaj, Feti Kovaçi kishte planifikuar në detaje arratisjen e tij nga burgu më janar të vitit 2024. Një prej hekurave në dritaren e burgut të Fierit u pre nga të burgosurit me një tel. Gjatë kontrollit u konstatua se edhe në dhomën e Dan Hutrës, ishin fshehur mjetet që do përdoreshin për arratisjen si një çarçaf i përshtatur si litar dhe mjete prerëse të improvizuara.

Nazmi Liçi dhe Ervis Peqini u shoqëruan mëngjesin 31 dhjetorit 2024, pasi ishin shpallur në kërkim për vjedhje. Pasi efektivët i kanë zbritur nga automjeti me qëllim kryerjen e procedurave për transferim në IEVP, të dy kanë mundur të largohen me vrap nga ambientet e DVP Elbasan. 

Si u thyen kafazët e shtetit!
Daut Laze

Në shkurt të viti 2025, Daut Lazes, 49-vjeç u arratis nga burgu i Shënkollit. Laze mbahej në një dhomë që prej datës 31 janar, ku po merrte mjekim bashkë me dy të paraburgosur të tjerë. Aty ka hapur derën, e cila ishte pa çelës, por vetëm e mbyllur me një lloz. Sipas dëshmisë së punonjësve të burgjeve, dhoma mbahet pa çelës pasi shumë të paraburgosur me probleme të shëndetit mendor dëmtojnë veten e tyre. Por duket se ky nuk ka qenë rasti i Lazës. Kamerat e sigurisë kanë zbuluar se i burgosi është larguar nga institucioni në orën 03:44 të mëngjesit. Arratisjen duket se e kishte menduar mirë, pasi në shtratin e tij kishte vendosur një grumbull me rroba për të krijuar iluzionin se ishte ende në shtrat. Vetëm në mëngjes, kur është bërë apeli, një nga gardianët ka konstatuar mungesën e tij. A u arrestu pas dy muajsh i fshehur në xhami.

Si u thyen kafazët e shtetit!
Bledar Selmanaj

Në shtator të viti 2025, i paraburgosuri Bledar Selmanaj tenton të arratiset nga burgu i Fierit. Selmanaj doli përmes një vrime të hapur në mur me mjete rrethanore dhe u ngjit në tarracë nëpërmjet një tubi metalik, duke u fshehur pa kaluar asnjë perimetër sigurie. Forcat e sigurisë u vunë në lëvizje dhe pas kontrollit të territorit u bë lokalizimi dhe ndalimi i tij.

Ndodhur përballë këtyre rasteve, ikja nga qelia mbetet një sfidë e hapur për shtetin./ZËRI

Poll

MOS HUMB