DELVINË- Situata me zjarret në Delvinë vazhdon të përkeqësohet, me flakët që vijojnë të përhapen ku kanë djegur disa banesa. Zjarri ka marrë përmasa të mëdha, ndërsa autoritetet kanë ndërhyrë për të vënë situatën nën kontroll. Ndërkohë, Ministria e Mbrojtjes, përmes strukturave të Mbrojtjes Civile, ka urdhëruar evakuimin e menjëhershëm të banorëve në fshatrat Palavli, Vergo dhe Kopaçëz, në Bashkinë Delvinë, për shkak të rrezikut nga zjarret.
U bëhet thirrje të gjithë banorëve të respektojnë udhëzimet e emergjencave civile dhe të bashkëpunojnë me forcat e Policisë dhe autoritetet vendore, të cilat janë angazhuar për mbrojtjen e jetës dhe pronës së tyre.
Aktualisht, në operacion janë përfshirë edhe dy helikopterë të Forcës Ajrore, të cilët po veprojnë në zonën e Delvinës, ndërsa dy të tjerë janë angazhuar në operacionet ajrore në qarkun Berat-Dimal.
Zjarret masive kanë përfshirë Delvinën prej më shumë se 1 jave, ndërsa era e fortë ka përhapur me shpejtësi flakët drejt shtëpive, ku deri tani raportohet se janë djegur 11 prej tyre. Në terren është ndërhyrë me automjete zjarrfikëse, por edhe me ndërhyrje nga ajri. Dy helikopterë kanë operuar në operacionin e shuarjes së flakëve./ZËRI