Aktualitet

Skandalet e njëpasnjëshme në Universitetin Bujqësor të Tiranës

Në 4 vite synohej transformimi i plotë i Universitetit Bujqësor në parametrat e BOKU, për ta kthyer UBT në një qendër ekselence për rajonin, por vetëm një vit më vonë, 24 persona, staf dhe zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës janë përpara Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pasi përmes dokumenteve të paligjshme kanë dhënë nëntë tendera me vlerë 90 milionë lekë në duart e tre kompanive.

F.m
Skandalet e njëpasnjëshme në Universitetin Bujqësor të
Universiteti Bujqësor i Tiranës dhe rektori Fatbardh Sallaku

TIRANË- Universiteti Bujqësor i Tiranës, qendra më e madhe e edukimit dhe kërkimit shkencor në fushën e bujqësisë dhe ushqimit në Shqipëri, i vendosur në një kodrinë të pyllëzuar në periferinë veri-perëndimore të Tiranës, prej vitesh është në tavolinat e institucioneve të drejtësisë jo si një qendër akademike dhe kërkimore, por si një institucion ku korrupsioni ka zënë rrënjë dhe kryefjalë ka ndarjen e parave publike në një grusht njerëzish.

Në vitin 2024, u lajmërua një projekt ambicioz me një investim 3 milionë eurosh që synonte një transformim të Universitetit Bujqësor të Tiranës në bashkëpunim me një prej universiteteve më të mira në Evropë për bujqësinë, BOKU në Vjenë. Për firmosen e marrëveshjes nga Tirana drejt kryeqytetit austriak ishin ministret Ogerta Manastirliu dhe Anila Denaj.

Në 4 vite synohej transformimi i plotë i Universitetit Bujqësor në parametrat e BOKU, për ta kthyer UBT në një qendër ekselence për rajonin, por vetëm një vit më vonë, 24 persona, staf dhe zyrtarë të Universitetit Bujqësor të Tiranës janë përpara Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar pasi përmes dokumenteve të paligjshme kanë dhënë nëntë tendera me vlerë 90 milionë lekë në duart e tre kompanive, “Krijon” sh.p.k.; “Zero Group” sh.p.k dhe “Malvina Visoka PF”. Kompania “Krijon” zotërohet me 70% të aksioneve nga Piro Zoga dhe 30% të aksioneve nga Bifrost Holding; “Zero Group” nga Arnold Kadiu dhe “Malvina Visoka” zotërohet nga Malvina Visoka.

 

Në total u ekzekutuan 24 masa sigurie, ndërsa në pranga përfunduan pesë persona, mes tyre Eduart Terthorja, administrator i Universitetit, Altin Murto, drejtor i fondeve publike, Amarildo Lleshi drejtor i prokurimeve publike, Piro Zoga dhe Mehmet Qoshja, të dy, specialist për fondet.

I gjithë ky aksion na tregoi se skandalet me punësimet nepotike dhe diplomave false në këtë Universitet kishin qenë vetëm maja e ajsbergut.

Edhe në vitin 2022 u abuzua me fondet dhe 4 zyrtarë përfunduan në pranga pasi kishin manipuluar tenderat.

Në pranga të Policisë ranë, Ali Rasha, me detyrë Drejtor i Fermës Didaktike Eksperimentale ne Universitetin Bujqësor Tiranë; Tahir Ballgjini me detyrë Përgjegjës i Sektorit të Bujqësisë; Rushit Suna, me detyrë specialist i sektorit të bujqësisë; Ahmet Mejdani, me detyrë magazinier në magazinen qendrore në Universitetin Bujqësor Tiranë.

Në të njëjtin vit, gazetarja Anila Hoxha denoncoi se si një projekt i AKSHI-t, me vlerë rreth 275 milionë lekë të vjetra, që premtonte krijimin e një qendre laboratorike për sigurinë ushqimore dhe shëndetin e kafshëve, përfundoi duke u kthyer në fond për blerjen e dy blenderave, të një frigoriferi dhe të disa dollapëve.

Ky laborator nuk prodhoi asnjëherë asnjë analizë ushqimore, pasi asnjë pajisje funksionale nuk u ble për këtë qëllim.

Blenderi në fjalë, në treg mund të ketë vlerën deri në 30 mijë lekë të reja, por në fatura kishin shënuar çmimin 276 mijë lekë.

Ndërsa për një frigorifer “Beko” që në treg mund të blihet për 30.000 mijë lekë të rinj, Universiteti Bujqësor i Tiranës ka paguar shifrën rekord të 108.800 lekë të reja.

Në skemën e mashtrimit u përfshi edhe emri i rektorit Fatbardh Sallaku dhe i shefes së Financave që firmos listën me honoraret. Asokohe, Sallakut iu sekuestrua telefoni duke u futur në aeroportin e Rinasit.

Përsa i përket rektorit Sallaku, ZËRI ka mësuar se ai rezultonte i punësuar edhe si ekonomist në kompaninë “Net Group”, që rezulton të jetë në pronësi të Valter Begajt, biznesmen dhe ortak i Evis Berberit, drejtori i ARRSH-së që u vu në pranga për korrupsion dhe pastrim parash. Vetë Begaj rezulton të jetë personi kyç që ka shërbyer për të pastruar paratë e përfituar përmes tenderave të paligjshëm nga kreu i ARRSH-së. E njëjta kompani, “Net Group”, (ish "B-VAAL ENGINEERING"), e cila rezulton që të jetë dhe kompania që ka fituar tenderat në mënyrë jo të ligjshme nga ana e Berberit.

E njëjta lojë siç duket është ndjekur edhe në rastin e Universitetit Bujqësor të Tiranës. Duke qenë vetë Rektor, Sallaku i kalonte tendera kompanisë së Begajt, në të cilën punonte vetë si ekonomist. Nga të dhënat e grumbulluara nga ZËRI, rezulton se në total vlera e transaksioneve ka qenë 4 milion e 500 mijë lekë, nga Universiteti Bujqësor tek Net Group.

Rektori Sallaku, në vitin 2021 lidhi edhe një marrëveshje me shoqërinë koncensionare për inceneratorin “Integrated Energy”, e cila në vitin 2023 u sekuestrua nga SPAK. Asokohe, Sallaku u shpreh se kjo marrëveshje ka rëndësi pasi kompania është një ndër më seriozet në fushën e menaxhimit të mbetjeve.

Por, 2 vite më vonë nga nënshkrimi i marrëveshjes në vitin 2023, shoqëria u sekuestrua nga SPAK, ndërsa drejtuesit e saj janë në burg.

Po me marrëveshjen çfarë ka ndodhur?

Vetë Sallaku foli para grupit parlamentar të Partisë Socialiste. Ai tha se ka nisur një reformë të thellë në universitet dhe deklaroi se është i gatshëm të flasë edhe në Komisionin Parlamentar të Arsimit.

Megjithatë, Sallaku u shpreh se nuk do të komentojë asnjë vendim të drejtësisë dhe se pavarësisht besimit që ka tek njerëzit me të cilët punon, çdo pedagog apo anëtar i stafit të UBT-së do të duhet të vërtetojë vetë me fakte para drejtësisë nëse ka punuar ndershmërisht.

Poll

MOS HUMB