
TIRANË-Olsi Komici, i cili mbante detyrën e kreut të Autoritetit Kombëtar të Ushqimit prej 29 janarit është shkarkuar nga kjo detyrë me vendim të Këshillit të Ministrave para tre javëve. Komici kandidon për deputet në listën e hapur të PS-së në Elbasan, dhe si pasojë ligji përcakton se titullarët e institucioneve pezullohen.
Për periudhën qershor 2017-dhjetor 2024, Komici u mandatua nga Kuvendi i Republikës së Shqipërisë, për ushtrimin e detyrës së Komisionerit në Komisionin e Pavarur të Kualifikimit. Ndërsa prej muajit Janar 2025 – aktualisht, ka ushtruar detyrën e drejtorit të përgjithshëm në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit. Në vend të tij u komandua Manush Kullolli, urdhër i firmosur nga ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj.
Një ditë më parë edhe drejtori i Autoritetit Kombëtar Ushqimor në Tiranë, Fatjon Pasholli u largua nga detyra. Në vendin e tij është komanduar Alketa Hoxha.
Muajt e fundit, AKU ka qenë një "vatër skandalesh" sa i përket sigurisë ushqimore. Disa ngarkesa eksporti janë kapur në kufi të vendeve të Bashkimit Europian dhe janë kthyer pas në vendin tonë për shkak se kishin nivele të larta pesticidesh. Por pasi janë kthyer nuk janë asgjesuar, por janë hedhur në treg për konsumatorin vendas. Së fundmi, probleme ka pasur edhe me ngarkesën e madhe të mishit me salmonelë që erdhi nga Brazili dhe u shit në të gjithë vendin.
Përpos lëvizjeve disa ditë më parë, ministrja e Bujqësisë, Anila Denaj lajmëroi shkrirjen totale të AKU-së./ZËRI