Aktualitet

Skemë mashtrimi në bashkëpunim me CFO Pharma, në pranga ish-drejtori i FSDKSH-së Spartak Zekja

Policia ka ekzekutuar 7 masa sigurie, ndërsa administratori i “CFO Pharma”, Frigul Milla, është shpallur në kërkim. Ndaj Drejtorit të FSDKSH, Spartak Zekja, dhe disa punonjësve janë vendosur masa ndalimi, pezullimi dhe detyrimi për t’u paraqitur në polici

E.K
Skemë mashtrimi në bashkëpunim me CFO Pharma, në pranga
spartak zekja

TIRANË- Prokuroria e Tiranës ka lëshuar 8 masa sigurie në lidhje me skemën e mashtrimit me ilaçet, të ngritur nga kompania CFO Pharma, në bashkëpunim me zyrtarë të Fondit të Sigurimeve të Detyrueshme të Kujdesit Shëndetësor. Në mesin e personave që ka rënë në pranga është ish-drejtori i FSDKSH, Spartak Zekja, dhe disa punonjës të këtij institucioni, për veprat penale “Falsifikimi i dokumenteve” dhe “Fshehja e të ardhurave”. Bëhet fjalë për Alba Zylfo, Jona Berberi, Lorela Ballabani, Zade Mali, Romina Agalliu dhe Esjana Gjishti. Për personat e mësipërm masat e sigurisë janë ekzekutuar, me përjashtim të administratorit të “CFO Pharma”, Frigul Milla, i cili është shpallur në kërkim. Hetimet zbuluan një skemë mashtrimi me inventarë dhe fatura fiktive për barnat “Foster” dhe “Trimboë”, përmes të cilës përfitoheshin fonde të rimbursimit nga FSDKSH në vlera të mëdha.

Në qendër të skemës ishte “CFO Pharma” në bashkëpunim me subjektet “Pharma Plus” dhe “Medix Albania” dhe me zyrtarë të Fondit.

“Gjithashtu bazuar në veprimet hetimore të kryera deri më tani në funksion të këtij procedimi penal, ka dyshime që shtetasi S.Z. Drejtor i FSDKSH, ka konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” i parashikuar nga neni 186/3 i Kodit Penal. Konkretisht personi nën hetim në cilësinë e Drejtorit të Përgjithshëm të Fondit ka nënshkruar Kontratë “Për Qarkullimin e Barnave të Listës së Barnave që rimbursohen Nga Shpërndarësi Farmaceutik”, ndërmjet Fondit të Sigurimit të Detyrueshëm të Kujdesit Shëndetësor dhe Shpërndarësit Farmaceutik “Pharma Plus”. Po kështu, edhe punonjëset e FSDKSH, shtetaset R. A., Z.M. dhe E. Gj., kanë konsumuar elementët e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga neni 186/3 i Kodi Penal. Këto shtetase duhet të kontrollonin fizikisht medikamentet që kishte përshkruar në listën e inventarit, administratorja e subjektit “Nedix Albania’ e hetuara L. B. Nga kontrolli i kryer dhe verifikimi i medikamenteve në magazinën e “Nedix Albania”, këto shtetase kanë evidentuar sipas tyre, se në magazinën e subjektit ndodhej sasia prej 4.000 kuti medikament i llojit “Foster””, thuhet mes të tjerave në njofrimin e prokurorisë së Tiranës.

Zekja ka qenë në krye të institucionit deri në muajin Shtator të këtij viti, kur u zëvendësua nga Arti Papajani.

Masat dhe akuzat:

1.Alba Zylfo, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”. masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”;

2.Jona Berberi, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim, masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrimi për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”;

3.Lorela Ballabani, e dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”. masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”’;

4.Spartak Zekja, i dyshuar për kryerjen e vepres penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga nenet 186/3 i Kodit Penal, masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”;

5.Zade Mali, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave”, masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”;

6.Esjana Gjishti, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” masat e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Pezullimi i ushtrimit të një detyre a shërbimi publik”;

7.Romina Agalliu, e dyshuar për kryerjen e veprës penale “Falsifikimi i dokumentave” të parashikuar nga nenet 186/3 i Kodit Penal, masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore”.

8.Në kërkim: Frigul Milla, i dyshuar për kryerjen e veprave penale “Falsifikimi i dokumentave” i kryer në bashkëpunim dhe “Fshehja e të ardhurave”, masën e sigurimit personal me karakter shtrëngues “Arrest në burg”.

/ZËRI

Poll

MOS HUMB