KOSOVË- Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës është shtyrë, pasi kryetari i Vetëvendosjes, Albin Kurti, kërkoi më shumë kohë për vijimin e bisedimeve me partitë politike. Kurti nuk paraqiti një emër për postin e kryetarit të Kuvendit.
Gjatë fjalës së tij në Kuvend, Kurti tha se pas certifikimit të rezultateve kanë nisur takimet me subjektet politike dhe se nevojitet më shumë kohë për arritjen e marrëveshjeve.
“Ne duam bisedime edhe me PDK-në, edhe me Aleancën, edhe pse refuzimi i tyre është i qartë. Duam të ecim përpara bashkërisht, por na duhet dakordimi sa më i gjerë për presidentin unifikues, ashtu siç e kërkon kushtetutshmëria për të cilën u betuam sot. Konstituimi kësaj radhe nuk mund të jetë sërish drejt një shpërndarjeje të Kuvendit dhe përsëri zgjedhje të parakohshme e të paarsyeshme, të dëmshme për ekonominë. Andaj, i nderuari kryesues Avni Dehari, kërkojmë kohë shtesë që t’u japim shans marrëveshjeve për president apo presidente të re”, ka thënë Kurti.
Kuvendi i Kosovës u mblodh sot në orën 10:00 për seancën konstituive, e cila u kryesua nga Avni Dehari, si deputeti më i moshuar, në përputhje me procedurën parlamentare.
Në nisje të seancës, Dehari ftoi partitë politike të propozonin anëtarët e Komisionit të Përkohshëm për Verifikimin e Kuorumit dhe të Mandateve të Deputetëve. Në sallë ishin të pranishëm 119 deputetë. Për formimin e komisionit votuan 118 deputetë, ndërsa një deputet abstenoi.
Gjatë seancës u betuan edhe deputetët e Kuvendit të Kosovës.
“Unë, deputet i Kuvendit të Republikës së Kosovës, betohem se me nder e me përkushtim do ta kryej detyrën time dhe do ta përfaqësoj me dinjitet popullin, do të punoj në interes të Kosovës dhe të gjithë shtetasve të saj, do të angazhohem për mbrojtjen dhe për respektimin e kushtetutshmërisë dhe të ligjshmërisë, për mbrojtjen e sovranitetit, tërësisë territoriale dhe të integritetit institucional të Kosovës, për garantimin e lirive dhe të drejtave të njeriut, në përputhje me ligjet e vendit. Betohem!”, thuhet në tekstin e betimit.
Ndërkohë, takimet e së martës dhe së mërkurës mes kreut të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, dhe kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, përfunduan pa një marrëveshje për krijimin e institucioneve të reja. Në përfundim të takimit të fundit, Kurti u shpreh shkurt para mediave, duke konfirmuar se palët nuk kishin arritur dakordësi.
Sipas Kushtetueses, nga konstituimi i Kuvendit nis edhe periudha 60-ditore, gjatë së cilës deputetët e legjislaturës së re duhet të zgjedhin presidentin e ri, në të kundërtën vendi shkon sërish në zgjedhje.
Pikërisht, për shkak të mosarritjes së konsensusit mes partive muaj më parë, vendi mbajti zgjedhje të parakohshme parlamentare në qershor, të tretat brenda një viti e gjysmë.
Nëse presidenti nuk zgjidhet brenda 60 ditëve nga dita e konstituimit të Kuvendit, atëherë organi ligjvënës shpërndahet dhe vendi shkon në zgjedhje të reja. Nëse Kosova mban sërish zgjedhje, atëherë ato do të ishin votimet e katërta parlamentare që nga shkurti i vitit të kaluar./ZËRI