TIRANË-Në Gjykatën e Posaçme ka filluar seanca e parë e gjyqit në themel për kryebashkiakun Erion Veliaj. Po edhe në këtë seancë kryebashkiaku ka zgjedhur të mos të paraqitet. Veliaj shprehet se nuk do të jetë i pranishëm në seancë, pasi SPAK nuk i ka dorëzuar fashikujt e munguar dhe provat dixhitale. Po ashtu kryebashkiaku ka përsëritur kërkesën e tij, për të qëndruar në seancë jashtë kafazit të xhamit të gjykatës.
"Nuk do të jem i pranishëm pasi SPAK nuk ka zbatuar vendimin e Gjykatës për të dorëzuar fashikujt e munguar dhe provat dixhitale dhe të mundesojë të marr pjesë si njeri i lirë në sallën e gjyqit. Kërkoj të përfaqësohem nga avokati Plarent Ndreca", ka deklaruar Veliaj.
Megjithatë, avokati i tij, Plarent Ndreca sqaroi se aktet i kanë marrë vetëm dje në orën 15:00 dhe kërkoi kohë që të njihet me aktet.
Më 9 shkurt, Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar vendosi të kalojë për gjykim dosjen në ngarkim të kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, bashkëshortes së tij Ajola Xoxa, si dhe të pandehurve të tjerë.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit 2025. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI
