Aktualitet

Prokuroria e Elbasanit aksion në Devoll! AMP: Masa për 2 shefa rajonalë dhe kreun e Policisë Bashkiake

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar ku njofton se janë ekzekutuar masat e sigurisë për Devis Ago, ish-shef sektori i AMP, Glodian Ahmetajn, ish-Drejtor Dege në AMP dhe Klevis Hoxhën, ish-drejtor i Policisë Bashkiake.

F.I
Prokuroria e Elbasanit aksion në Devoll! AMP: Masa për 2 shefa
FOTO ILUSTRUESE

DEVOLL- Prokuroria e Elbasanit, në bashkëpunim me Agjencinë e Mbikëqyrjes Policore ka ndërmarë një operacion në Devoll, ku raportohet se kanë kryer kontrolle në disa apartamente. Kontrollet janë zhvilluar në banesën e Devis Agos, ish-punonjës i AMP së juglindjes. Një tjetër i dyshuar është edhe Klevis Hoxha, ish-drejtor i Policisë Bashkiake, si lidhje shoqërore e Agos. 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore ka dhënë detaje lidhur me aksionin e zhvilluar ku njofton se janë ekzekutuar masat e sigurisë për Devis Ago, ish-shef sektori i AMP, Glodian Ahmetajn, ish-Drejtor Dege në AMP dhe Klevis Hoxhën, ish-drejtor i Policisë Bashkiake. Masat janë detyrim paraqitje dhe ndalimi i daljes jashtë Shqipërisë. Ata dyshohen për veprën penale "Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë".

Ndaj shtetasit Glodian Ahmetajt është caktuar masa e sigurimit “ndalimi i daljes jashtë shtetit”, duke u urdhëruar të mos largohet nga territori i Republikës së Shqipërisë dhe të dorëzojë pranë Policisë Gjyqësore dokumentet e vlefshme që shërbejnë për kalimin e kufirit shtetëror.

Për Hoxhën janë caktuar masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”. Ndërkohë masa e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” është dhënë edhe për Devis Agon.

Njoftimi i plotë i AMP:

AMP EKZEKUTON MASAT E SIGURIMIT NDAJ TRE SHTETASVE TË DYSHUAR PËR “SHTRËNGIM ME ANË TË KANOSJES OSE DHUNËS PËR DHËNIEN E PASURISË”

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), në vijim të angazhimit të saj të pandërprerë në luftën kundër paligjshmërisë dhe garantimin e integritetit të funksionarëve publikë, ka finalizuar me sukses një tjetër operacion hetimor në kuadër të procedimit penal nr. 238 të vitit 2026, të drejtuar nga Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan.

Në zbatim të vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Elbasan, AMP ka ekzekutuar masat e sigurimit personal ndaj tre shtetasve të dyshuar për kryerjen e veprës penale “Shtrëngim me anë të kanosjes ose dhunës për dhënien e pasurisë, e kryer në bashkëpunim”, parashikuar nga neni 109/b i Kodit Penal.

Masat e sigurimit të ekzekutuara janë si më poshtë:

▪️ Glodian Gëzim Ahmetaj, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Drejtor në Drejtorinë Rajonale Elbasan-Korçë, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurimit “Ndalimi i daljes jashtë shtetit” dhe “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”.

▪️ Devis Ramadan Ago, me detyrë në kohën e kryerjes së veprës penale Shef Sektori në Drejtorinë Rajonale Elbasan-Korçë, ndaj të cilit është vendosur masa e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore”.

▪️ Klevis Ramadan Hoxha, me detyrë Shef i Policisë Bashkiake pranë Bashkisë Devoll, ndaj të cilit janë vendosur masat e sigurimit “Paraqitja në Policinë Gjyqësore” dhe “Ndalimi i daljes jashtë shtetit”.

Në kuadër të operacionit janë ekzekutuar të gjitha detyrimet procedurale të përcaktuara nga gjykata, si dhe janë ushtruar tre kontrolle banesash të autorizuara nga autoriteti procedues, me qëllim administrimin e provave dhe dokumentimin e plotë të aktivitetit të dyshuar kriminal.

Ky operacion dëshmon edhe një herë profesionalizmin, vendosmërinë dhe pavarësinë e strukturave hetimore të AMP-së në trajtimin e rasteve ku dyshohet për përfshirje të funksionarëve publikë apo personave të lidhur me institucionet ligjzbatuese në veprimtari të kundërligjshme.

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore mbetet e palëkundur në misionin e saj për të garantuar zbatimin e ligjit, llogaridhënien institucionale dhe forcimin e besimit të qytetarëve tek institucionet e drejtësisë dhe të sigurisë. Çdo indicie apo dyshim për shkelje të ligjit do të hetohet me profesionalizëm, paanshmëri dhe në përputhje të plotë me standardet më të larta të shtetit të së drejtës.

Poll

MOS HUMB