TIRANË-Avokati Besart Logu ka mohuar akuzat që SPAK ka ngritur ndaj tij, nën dyshimin se i ka marrë 8 mijë euro ryshfet një klienti duke i premtuar se do të ushtronte ndikimin e tij tek gjyqtarët për t’i lehtësuar masën e sigurisë. Në një reagim publik, Logu shprehet se nuk është përfshirë në asnjë episod korrupsioni dhe se punën e ka bërë me devotshmëri. Avokati, i cili është nën masën e sigurisë arrest shtëpie, pretendon se gjatë kontrollit nuk u gjend asnjë send i paligjshëm apo provë tjetër që ka lidhje me objektin e hetimit.
Në regimin e tij Logu thekson se nuk është takuar me asnjë zyrtar drejtësie dhe as nuk i ka marrë paratë për ushtrimin e ndikimit të paligjshëm. Avokati tregon se në momentin kur oficerët e BKH-së zbarkuan për ti komunikuar masën e arrestit në shtëpi, ishte në hyrjen e pallatit dhe po çonte vajzën në kopësht.
REAGIMI:
Sot, rreth orës 08:30 të mëngjesit, tek po çoja vajzën në kopësht e për të nisur më pas rutinën ditore, jam ndaluar në hyrjen e pallatit nga agjentë të Krimit Ekonomik të Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit ku më është komunikuar vendimi i GJKKO në lidhje me masën e sigurimit dhe të kontrollit personal, të banesës si dhe të zyrës ku ushtroj aktivitetin. Gjatë kontrollit nuk u gjend asnjë send i paligjshëm apo çdo provë tjetër që ka lidhje me objektin e hetimit. Nga sa më sipër sqaroj se:
1. Nga ana ime nuk është kryer asnjë veprim që mund të ngrejë dyshime për ndonjë vepër penale të mundshme. Gjatë gjithë karrierës time si avokat kam shërbyer me devotshmëri dhe përgjegjshmëri të lartë duke patur prioritet vetëm interesin e klientit dhe kjo brënda kornizave që rregullon ligji.
2. Në lidhje me rastin konkret, nuk jam përfshirë në asnjë episod korrupsioni apo akti të paligjshëm. Kam bërë vetëm punën e avokatit, si në ngritjen e mbrojtjes ashtu edhe në takime me familjarë e të njohur të klientit qofshin këto edhe agjentë të infiltruar. Jam në gjendje të provoj çdo akt timin dhe t'i dal për zot të gjitha pretendimeve që ka ngritur Prokuroria. Kjo sepse nuk ka ndonjë gjë të re përveçse përditshmërisë së një avokati.
Lajmi i keq në gjithë këtë histori është se po tentohet kriminalizimi i sjelljes së avokatit. Kjo tendencë duket edhe tek ndryshimet e Kodit Penal ku qeveria vlerëson si element penal edhe rastin kur ke marrë më shumë para nga sa ke ofruar shërbim.
Kështu, jam i gatshëm të përballem me këtë akuzë sepse jam i bindur në një të vërtetë absolute:
▪︎ Nuk kam marrë para për ushtrim të ndikimit të paligjshëm.
▪︎ Nuk kam takuar asnjë zyrtar drejtësie
▪︎ Si dhe nuk është marrë mbrapsht asnjë shërbim i kundraligjshëm.
Këtë e provon çështja në fjalë dhe e gjithë ecuria e saj.
I vetmi problem momental për mua është shqetësimi i krijuar tek familja e tek të njohurit të cilët gjej rastin t'i falenderoj per suportin moral që më kanë dhënë.
P.S. kur isha para agjentëve të Policisë mu kujtua skeçi i Fadil Hasës ku prokuroria politike e kohës i komunikonte akuzat dhe ai fliste me vete "Sa i rrezikshëm paskam qenë"!
Në njoftimin e SPAK, thuhet se Logu i ka marrë paratë prej 8 mijë për të ndikuar të funksionarët e drejtësisë, dhe jo për shërbime avokatie, siç pretendoi pak më herët vetë avokati në një reagim në rrjetet sociale. Prokuroria e Posaçme bën me dije se e ka të dokumentuar me përgjime dhe filmime marrjen e parave nga avokati Logu, episod i ndodhur më 13 dhjetor 2024. Hetimi për avokatin ishte regjistruar më herët, në datë 27 nëntor 2024, në bazë të kallëzimit nga vetë klienti i tij.
Njoftimi i SPAK:
SPAK cakton masën e sigurisë kundër avokatit të akuzuar për korrupsion, Gjykata e Posaçme e miraton
Me kërkesë të Prokurorisë së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar, Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë miratoi më 9.9.2025, përmes vendimit nr.91, caktimin e masës “Arrest në shtëpi”, ndaj shtetasit B. L., me profesion avokat, e parashikuar nga neni 237 i Kodit të Procedurës Penale. Kjo masë është kërkuar pasi ekzistojnë dyshime të arsyeshme, të cilat mbështeten në prova, se personi nën hetim ka kryer veprën penale, “Ushtrim i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, parashikuar nga neni 245/1/4 i Kodit Penal.
Masa është ekzekutuar më 10.9.2025 me ndihmën e Drejtorisë së Përgjithshme të Policisë së Shtetit.
Procedimi penal
Në datën 27.11.2024, Prokuroria e Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar ka regjistruar procedimin penal nr. 242, mbi kallëzimin e shtetasit me iniciale S.C, për veprat penale:
“Korrupsioni pasiv i gjyqtarëve, prokurorëve dhe funksionarëve të tjerë të organeve të drejtësisë”, (neni 319/ç i Kodit Penal);
“Ushtrimi i ndikimit të paligjshëm ndaj personave që ushtrojnë funksione publike”, (neni 245/1 i Kodit Penal).
Hetimet dhe gjetjet
Nga hetimet proaktive, të cilat u kryen nga hetues të Byrosë Kombëtare e Hetimit (BKH) dhe Drejtoria e Përgjithshme Policisë së Shtetit, rezultoi se në datën 13.12.2024, i hetuari ka marrë shumën prej 8.000 (tetë mijë) euro, (fakt i dokumentuar përmes metodave speciale të hetimit). Kjo shumë është marrë me qëllim për të ndikuar te prokurori, gjyqtari dhe ekspertët që kishin në ngarkim çështjen penale në ngarkim të tij në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë. Çështja kishte të bënte me veprat penale, “Krijimi i skemave mashtruese lidhur me tatimin mbi vlerën e shtuar”, kryer në bashkëpunim“Fshehja e te ardhurave” dhe “Falsifikimi i vulave, stampave ose i formularëve”, kryer në bashkëpunim, parashikuar nga nenet 144/a e 25, 180/3 dhe 190/2 të Kodit Penal.
Hetimet kanë provuar se kjo shumë nuk ishte pagesë për shërbime avokatie, por një shumë e dhënë kundrejt premtimit se do t’u dorëzohej prokurorit, gjyqtarit dhe ekspertëve për lirimin nga burgu të klientit e tij, S. C.. Ky premtim nuk është realizuar./ZËRI