TIRANË- Prokuroria e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (SPAK) ka njoftuar vijimin e garës për drejtimin e Byrosë Kombëtare të Hetimit (BKH), duke bërë të ditur se 7 kandidatët e përzgjedhur do t’i nënshtrohen dy testimeve më 22 korrik. Në këtë fazë, kandidatët do të zhvillojnë testin me ese, me kohëzgjatje 60 minuta, si dhe testin logjik, që do të zgjasë 45 minuta. Të dy testet do të kryhen në të njëjtën ditë dhe janë pjesë e procesit të vlerësimit profesional dhe analitik të kandidatëve.
Të vetmit të mbetur në garë janë: Andi Pogaçe; Artur Beu; Elton Kërluku; Gentian Ndoi; Gentjan Shehaj; Gledis Nano dhe Joni Keta.
Pas testimit me shkrim, SPAK ka njoftuar edhe për fazën pasuese të garës. Të njëjtët kandidatë do t’i nënshtrohen testit të poligrafit, i cili shërben për të garantuar integritetin dhe besueshmërinë e aplikantëve që synojnë të marrin drejtimin e BKH-së.
Pas përfundimit të procedurave të vlerësimit, emri i përzgjedhur do t’i propozohet zyrtarisht Këshillit të Lartë të Prokurorisë për emërimin në krye të FBI-së shqiptare. Komisioni i përzgjedhjes në SPAK përbëhet nga kreu i institucionit, Altin Dumani, si dhe prokurorët Arben Kraja dhe Behar Dibra. Mandati i drejtuesit të Byrosë është 5 vjet. Aktualisht, postin e kreut të BKH-së e mban Aida Hajnaj, e cila do të qëndrojë në këtë detyrë deri më 31 gusht./ZËRI