Aktualitet

Të gjitha inspektoratet në një "kulm"/ Si do i kalojnë pronat shtetërore “Korpusit të Inspektorateve"

Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet publike përfituese brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi duhet të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit.

k.m.
Të gjitha inspektoratet në një "kulm"/ Si do i
Foto ilustruese

TIRANË- Tashmë në Shqipëri do të kemi Korpusin e Inspektoriateve! Këshilli i Ministrave vendosi transferimin te Korporata e Investimeve Shqiptare të të gjitha pronave shtetërore për realizimin e projektit “Korpusi i Inspektorateve” dhe projekteve të tjera të investimit. Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucionet publike përfituese brenda 30 ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi duhet të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit. Në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës, këtu "hyn në lojë" Korporata e Investimeve Shqiptare, e cila do të ketë për detyrë procesin e konsolidimit. Po ashtu, Korporata e Investimeve Shqiptare ka "fuqinë" për hapjen e procedurave për përzgjedhjet e partnerëve privat në mënyrë që pronat që ka në ngarkim të zhvillohen.

Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit autorizohet që në të njëjtën procedurë, të asistojë Korporatën e Investimeve Shqiptare. Ku konsiston asistenca e AKPT? Agjencia duhet të hartojë termat e referencës për projektidetë arkitekturore, hartimin e kritereve të kualifikimit për projektuesit dhe kritereve të vlerësimit paraprak e përfundimtar të projektideve arkitekturore. Pasi kushtet dhe kriteret janë përcaktuar, Korporata e Investimeve negocion me subjektet private dhe lidh kontratat për pronat që do investohen. 

"Institucionet publike, të cilat zhvillojnë aktivitet në godinat e ngritura në pronat e përcaktuara në këtë vendim, do të vazhdojnë të përdorin pronën në funksion të aktivitetit të tyre deri në momentin e marrjes në dorëzim të ambienteve të reja, të ndërtuara në përputhje me termat dhe kushtet e përcaktuara në marrëveshje. Kur, për nevoja të realizimit të projekteve të investimit, institucioni publik duhet të largohet nga prona ku kryen aktivitet, institucioni publik, me njoftimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare liron ambientet ku kryen veprimtarinë e tij, vetëm pasi Korporata e Investimeve Shqiptare, në bashkëpunim me institucione të tjera, publike apo subjekte private, i ka siguruar ambiente të përkohshme për vazhdimin e aktiviteteve të punës deri në marrjen në dorëzim të ambienteve të reja të ndërtuara,"-theksohet ndër të tjera në VKM.

Nga kjo VKM janë një sërë institucionesh që do të preken, përfshirë: Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSSHSH), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB), Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet (ZMR), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat Minerare (AKSEM), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKPMB), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP).

VENDIMI I KËSHILLIT TË MINISTRAVE:

VENDIM PËR TRANSFERIMIN TE KORPORATA E INVESTIMEVE SHQIPTARE TË PRONAVE SHTETËRORE PËR REALIZIMIN E PROJEKTIT TË INVESTIMIT “KORPUSI I INSPEKTORATEVE” DHE PROJEKTEVE TË TJERA TË INVESTIMIT

Në mbështetje të nenit 100 të Kushtetutës, të pikës 1, të nenit 7, të ligjit nr.71/2019, “Për Korporatën e Investimeve Shqiptare”, të neneve 13 e 15, të ligjit nr.8743, datë 22.2.2001, “Për pronat e paluajtshme të shtetit”, të ndryshuar, dhe në vijim të shkronjës “b”, të pikës 1, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, me propozimin e ministrit të Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Këshilli i Ministrave

V E N D O S I:

1. Transferimin në pronësi të shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, me NIPT: M01917011D të pronave shtetërore, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi, për realizimin e projektit të investimit “Korpusi i inspektorateve” dhe projekteve të tjera të investimit.

2. Autorizimin e shoqërisë aksionare “Korporata e Investimeve Shqiptare”, vetë apo nëpërmjet entitetit të krijuar prej saj, për të vepruar si zhvillues i pronave, të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr.2, sipas këtij vendimi, në funksion të realizimit të projektit të investimit, të përcaktuar në pikën 1, të këtij vendimi, i cili ka si qëllim, ndër të tjera, përmbushjen e interesit publik.

3. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare dhe institucioneve publike përfituese, të përcaktuara në shtojcën nr.3, që i bashkëlidhet këtij vendimi, që, brenda 30 (tridhjetë) ditëve nga hyrja në fuqi e këtij vendimi, të lidhin marrëveshje bashkëpunimi për përcaktimin e standardit, metodologjisë, termave dhe kushteve të bashkëpunimit për përmbushjen e interesit publik, përmbushjen e interesit të Korporatës, si dhe entiteteve në pronësi të të cilit/ave regjistrohet prona e re shtetërore.

4. Në funksion të realizimit të projektit të investimit “Korpusi i inspektorateve” dhe projekteve të tjera të investimit dhe në zbatim të pikës 5, të kreut II, të vendimit nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, ngarkohet Korporata e Investimeve Shqiptare të kryejë procesin e konsolidimit të pronave, sipas shtojcave nr.1 dhe nr.2, që i bashkëlidhen këtij vendimi, në rast se konstatohet mospërputhje midis gjendjes faktike dhe ligjore të pronës.

5. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për hapjen e procedurës konkurruese për përzgjedhjen e partnerit privat, sipas rregullave të përcaktuara në vendimin nr.137, datë 6.3.2024, të Këshillit të Ministrave, “Për përcaktimin e kritereve dhe të procedurës për dhënien e pronës shtetërore me qira, enfiteozë, leasing, shitje, përdorim si kolateral dhe të përdorimit në forma të tjera nga ana e Korporatës së Investimeve Shqiptare”, të ndryshuar, për zhvillimin e pronave, të parashikuara në shtojcën nr.1, nëpërmjet instrumentit të sipërmarrjes, me qëllim realizimin e projekteve të saj të investimit. Shpenzimet për shërbimet e parashikuara në këtë pikë mbulohen nga buxheti i Korporatës së Investimeve Shqiptare.

6. Autorizohet Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, që në të njëjtën procedurë, të asistojë Korporatën e Investimeve Shqiptare nëpërmjet hartimit të termave të referencës për projektidetë arkitekturore, hartimin e kritereve të kualifikimit për projektuesit dhe kritereve të vlerësimit paraprak e përfundimtar të projektideve arkitekturore.

7. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për negociimin me subjekte private, me qëllim lidhjen e kontratës përkatëse për zhvillimin e pronave të transferuara në pronësi apo për të cilat ka autorizim zhvillimi, në funksion të realizimit të projekteve të saj të investimit.

8. Autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare, vetë apo nëpërmjet subjekteve të krijuara prej saj, të kryejë veprimet me Agjencinë Shtetërore të Kadastrës, institucionet publike kompetente për planifikimin e zhvillimin e territorit apo me institucione të tjera, në kuadër të realizimit të projektit të investimit, si dhe të sigurojë regjistrimin, në emër të Republikës së Shqipërisë/Korporatës, sipas parashikimeve të marrëveshjes së bashkëpunimit me institucionet publike përfituese, të pronës së re shtetërore, që do të krijohet në kuadër të projekteve të investimit.

9. Institucionet publike, të cilat zhvillojnë aktivitet në godinat e ngritura në pronat e përcaktuara në këtë vendim, do të vazhdojnë të përdorin pronën në funksion të aktivitetit të tyre deri në momentin e marrjes në dorëzim të ambienteve të reja, të ndërtuara në përputhje me termat dhe kushtet e përcaktuara në marrëveshjet, sipas pikës 3, të këtij vendimi. Kur, për nevoja të realizimit të projekteve të investimit, institucioni publik duhet të largohet nga prona ku kryen aktivitet, institucioni publik, me njoftimin e Korporatës së Investimeve Shqiptare liron ambientet ku kryen veprimtarinë e tij, vetëm pasi Korporata e Investimeve Shqiptare, në bashkëpunim me institucione të tjera, publike apo subjekte private, i ka siguruar ambiente të përkohshme për vazhdimin e aktiviteteve të punës deri në marrjen në dorëzim të ambienteve të reja të ndërtuara.

10. Në funksion të zhvillimit të pronave, të përcaktuara në këtë vendim, në përputhje me parashikimet ligjore përkatëse për planifikimin dhe zhvillimin e territorit, autorizohet Korporata e Investimeve Shqiptare për të proceduar me prishjen e objekteve, pjesë e pronave të përcaktuara në shtojcat nr.1 dhe nr. 2, që i bashkëlidhen këtij vendimi.

11. Në listat e pronave, që i bashkëlidhen vendimeve të Këshillit të Ministrave, nr.820, datë 13.10.2010, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të institucioneve të varësisë, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Ministrisë së Bujqësisë, Ushqimit dhe Mbrojtjes së Konsumatorit”, të ndryshuar, dhe nr.60, datë 1.2.2006, “Për miratimin e listës së inventarit të pronave të paluajtshme shtetërore, të cilat i kalojnë në përgjegjësi administrimi Drejtorisë së Përgjithshme të Shërbimit Social Shtetëror”, të ndryshuar, të hiqen pronat shtetërore, sipas shtojcës nr.1, që i bashkëlidhet këtij vendimi.

12. Ngarkohen Ministria e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Ministria e Shëndetësisë dhe Mbrojtjes Sociale, Inspektorati i Përgjithshëm, Inspektorati Shtetëror i Punës dhe Shërbimeve Shoqërore (ISHPSSHSH), Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU), Agjencia Kombëtare e Mjedisit (AKM), Agjencia Kombëtare e Bregdetit (AKB), Agjencia Kombëtare e Arsimit Parauniversitar (AKAP), Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial (ISHTI), Inspektorati Shtetëror Shëndetësor (ISHSH), Zyra e Mbrojtjes nga Rrezatimet (ZMR), Autoriteti Kombëtar për Sigurinë dhe Emergjencat Minerare (AKSEM), Inspektorati Shtetëror i Mbikëqyrjes së Tregut (ISHMT), Agjencia Kombëtare e Barnave dhe Pajisjeve Mjekësore (AKPMB), Autoriteti Kombëtar i Veterinarisë dhe Mbrojtjes së Bimëve (AKVMB), Drejtoria e Shërbimeve të Peshkimit dhe Akuakulturës (DSHPA), Drejtoria e Përgjithshme e Arkivave (DPA), Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura, Agjencia Kombëtare e Pyjeve (AKP), Universiteti Politeknik i Tiranës, Agjencia Kombëtare e Planifikimit të Territorit, Agjencia Shtetërore e Kadastrës dhe Korporata e Investimeve Shqiptare për zbatimin e këtij vendimi.

Ky vendim hyn në fuqi pas botimit në “Fletoren zyrtare”.

KRYEMINISTRI

EDI RAMA

Në mungesë dhe me porosi

ZËVENDËSKRYEMINISTRI- BELINDA BALLUKU

Poll

MOS HUMB