DURRËS- Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar në një lokal në shëtitoren “Taulantia” në Durrës, ku si pasojë ka mbetur i plagosur një person. Sipas Policisë, ngjarja ka ndodhur pas një konflikti për motive të dobëta.
Burime bëjnë me dije se i plagosuri është 52-vjeçari Elton Shllaku, me profesion avokat. Ndërkohë, autori i dyshuar është identifikuar si Fatmir Ferhati, 61-vjeç. Policia ka ngritur pika kontrolli në disa zona me qëllim kapjen e tij.
Njoftimi i Policisë:
Durrës/Informacion paraprak
Rreth orës 17:30, në lagjen Nr. 1, Durrës, shtetasi F. F., 61 vjeç, banues në lagjen Nr. 1, Durrës, dyshohet se për motive të dobëta, ka plagosur me armë zjarri në dorë shtetasin E. Sh., 52 vjeç, banues në Durrës, i cili ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Shërbimet e Policisë kanë shkuar menjëherë në vendngjarje, janë ngritur pika kontrolli dhe vijon kontrolli i zonës, me qëllim kapjen e autorit.
Grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, vijon punën për zbardhjen dhe dokumentimin e plotë të rrethanave të ngjarjes./ZËRI