SHKODËR-Të shtëna me armë zjarri janë raportuar në Shkodër gjatë një operacioni policor. Ngjarja ka ndodhur në lagjen Kiras, ku patrulla i ka kërkuar një automjeti të ndalojë, ndërsa shoferi, i cili shoqërohej na një tjetër person, nuk i është bindur urdhrit, ka shtuar shpejtësinë dhe është larguar. Teksa policia u është vënë në ndjekje, pasagjeri ka qëlluar me armë zjarri në ajër dhe ka arritur të arratiset.
Sipas raportimeve bëhet fjalë për shtetasin B.B i cili është në kërkim edhe për vepra të tjera penale. Ndërkohë është arrestuar shoferi i automjetit, ndërsa po vijojnë kërkimet për kapjen e personit tjetër.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 15:10, gjatë patrullimit në lagjen “Guerrile”, shërbimet e Policisë i kanë bërë shenjë ndalimi, një automjeti me të cilin lëviznin 2 shtetas, me qëllim kryerjen e kontrolleve. Drejtuesi i automjetit nuk i është bindur urdhrit të punonjësve të Policisë, por ka shtuar shpejtësinë e lëvizjes dhe ka kryer manovra të rrezikshme me automjet.
Për këto arsye, shërbimet e Policisë i janë vënë në ndjekje automjetit. Gjatë ndjekjes, dyshohet se pasagjeri në këtë automjet, duke u larguar ka qëlluar një herë, në ajër, me armë zjarri, dhe është larguar.
Shërbimet e Policisë kanë kapur drejtuesin e automjetit, inicialet e të cilit nuk bëhen të ditura për momentin, për shkak të konfidencialitetit të hetimit.
Ndërkaq, vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e pasagjerit në këtë automjet.
Grupi hetimor, në drejtimin e Prokurorisë, po punon për të zbardhur rrethanat e rastit.