TIRANË- Procesi gjyqësor ndaj kryebashkiakut Erion Veliaj dhe të pandehurve të tjerë është zhvilluar mes debateve në seancë. Kërkesat dhe pretendimet e ndryshme janë bërë shkak i përplasjeve mes prokurorit të SPAK dhe palës mbrojtëse.
Burime bëjnë me dije se prokurori Olsi Dado i ka kërkuar Gjykatës që të vijojë procesin, pavarësisht mungesës së të pandehurve, duke shtuar se këta të fundit janë përfaqësuar nga avokatët e tyre.
“Për të pandehurit që nuk janë të pranishëm kërkojmë që të vijojë gjykimi, duke qenë se janë të pranishëm avokatët e tyre”. mësohet se ka thënë prokurori Dado.
Deklaratat e palëve në gjyq:
Avokatja kryesisht e Veliajt: “Të pandehurit Erjon Veliajt nuk iu dhanë dokumentet as me seancë paraprake. Të mbrojturit prej meje t’i jepen dokumentet që të jetë prezent seancën tjetër. E kam takuar dy herë Veliajn dhe një herë tjetër që shkove ishte me surume”.
Avokatet e Xoxës: “Ajola është në pamundësi shëndetësore për t’u paraqitur, pasi është shtatzënë dhe ia ka ndaluar doktori për të lëvizur”.
Prokurori Ols Dado për mungesat e të pandehurve në seancë: “Gentian Sula dhe Shkëlqim Fusha edhe pse kanë marrë dijeni bëhen pengesë për vijim e gjykimit. Në lidhje me kërkesën e Veliajt, qëndrimi i SPAK-ut është se Veliaj është njohur me aktet, si avokatët edhe vetë i pandehuri. Në lidhje me ato që kanë marrë dijeni dhe nuk janë në sallë gjykata të vijojë edhe në mungesë të tyre”.
Në këtë situatë, seanca është shtyrë për në datën 24 mars, në orën 14:30. Shkak i këtij vendimi ishte mungesa e Gentian Sulës dhe avokatit të tij, i cili deklaroi se ishte jashtë vendit. Po ashtu, në seancë mungoi edhe avokati i kompanisë Fusha.
Ndërkohë, GJKKO ka miratuar kërkesën e Erion Veliajt për vendosjen në dispozicion të akteve hetimore. Sipas burimeve, mësohet se dorëzimi i tyre do të kryhet nëpërmjet një oficeri të BKH-së brenda një afati të shkurtër në IEVP Durrës./ZËRI