
FIER- Të shtëna me armë zjarri janë regjistruar ditën e sotme në fshatin Sulaj të Fierit, ku një grua ka mbetur e plagosur. Suzana Mernica është qëlluar me armë zjarri, teksa po ecte me motor me djalin e saj. Policia ka identifikuar dy autorët e ngjarjes, Afrim dhe Ali Cimili, babë e bir të cilët janë shpallur në kërkim.
Ngjarja ndodhi rreth orës 14:00 në vendin e quajtur Mbikalimi i Dërmenasit. Pika kontrolli janë ngritur në hyrje e daljet të qytetit të Fierit, në kapje të autorëve Afrim dhe Ali Cimili.
Njoftimi i policisë:
Plagosën me armë zjarri një shtetase, identifikohen dhe shpallen në kërkim autorët(babë e bir).
Rreth orës 14:00, në vendin e quajtur "Mbikalimi i Dërmënasit", në rrethana ende të paqarta, është plagosur me armë zjarri shtetasja S. M.
Nga hetimet paraprake dyshohet se autorë janë shtetasit A. C., 66 vjeç dhe A. C., 23 vjeç, banues në Dërmënas (babë e bir), të cilët janë shpallur në kërkim.
Janë ngritur menjëherë pika kontrolli në hyrje/daljet e qytetit të Fierit dhe në akset “Fier-Vlorë”, "Fier-Lushnjë". Gjithashtu, shërbimet e Policisë vijojnë krehjen e zonës, me qëllim lokalizimin dhe kapjen e autorëve.
Grupi hetimor ndodhet në vendngjarje dhe në drejtimin e prokurorit, po punon për sqarimin e rrethanave të ngjarjes, si dhe për fiksimin e çdo prove që do t’i shërbejë hetimit, me qëllim kapjen e autorëve./ZËRI