KUKËS- Një person ka rënë në prangat e policisë së Kukësit dhe një tjetër është shpallur në kërkim, si autorë të dyshuar të ngjarjes së mbrëmjes së 27 nëntorit, kur u raportuan të shtëna me armë në drejtim të një biznesi. Sipas njofitmit të bluve, autorët, babë e bir, 59 dhe 26-vjeç, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dyqanit në pronësi të shtetasit T. O., duke dëmtuar fasadën me xham të dyqanit.
Në pranga ka rënë 59-vjeçari Xheme Mena, ndërsa djali i tij 26-vjeç Misin Mena është shpallur në kërkim, pasi nuk u gjet në banesë gjatë operacionit. Gjithashtu është sekuestruar automjeti i dyshuar me të cilin babë e bir kanë lëvizur kur kanë kryer veprën penale.
Njoftimi:
Kukës/ Zbardhet ngjarja e ndodhur më datë 27.11.2025, në lagjen Drinas të fshatit Mamëz, Kukës, ku u qëllua me armë zjarri në drejtim të një biznesi.
Identifikohen 2 autorët e dyshuar (babë e bir).
Kapet dhe vihet në pranga njëri nga autorët, shpallet në kërkim djali i tij.
Sekuestrohet automjeti i dyshuar me të cilin babë e bir kanë lëvizur kur kanë kryer veprën penale.
Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Kukës dhe nën drejtimin e Prokurorisë, si rezultat i hetimeve të thelluara me metoda proaktive, për zbardhjen e autorësisë së ngjarjes së ndodhur në lagjen Drinas, bazuar në informacionet e siguruara, organizuan operacionin policor të koduar "Drinas".
Në kuadër të operacionit policor të koduar “Drinas”, u bë kapja dhe ndalimi i njërit prej autorëve, shtetasit Xh. M., 59 vjeç, si dhe u shpall në kërkim djali i tij, shtetasi M. M., 26 vjeç, banues në Kukës, për veprat penale “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe i municionit”, “Shkatërrimi i pronës” dhe “Prishja e qetësisë publike”.
Këta shtetas, më datë 27.11.2025, në lagjen Drinas, dyshohet se kanë qëlluar me armë zjarri në drejtim të dyqanit në pronësi të shtetasit T. O., duke dëmtuar fasadën me xham të dyqanit.
Vijon puna intensive për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim, i cili nuk u gjet në banesë gjatë operacionit.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.
