
ELBASAN- Sot në orët e para të mëngjesit në Elbasan, një 24-vjeçar tentoi t’i vendoste tritol makinës së një 40-vjeçari, por humbi jetën vetë. Viktima u identifikua si Kristi Balukja, ndërsa “shënjestra” si Renato Çepa. Mësohet se ata janë konfliktuar fizikisht më parë së bashku dhe dyshohet se 24-vjeçari ishte pjesë e një grupi kriminal.
Sipas policisë, Çepa njihet në qytet si “Kel Llumi”. Gazetari Elton Qyno bën me dije se ai ka qenë i hetuar nga policia për lidhjet e tij me të ndjerin Emiljano Ramazani, i cili u vra në vitin 2020. Ai u ekzekutua poshtë shtëpisë, kur po markonte makinën e tij. Autorët e vrasjes ishin tre persona, ku njëri ka qëlluar me breshëri automatiku. Vrasja e Ramazanit dyshohet se ka ndodhur për larje hesapesh, pas mosmarrëveshjeve për drogën. Pak ditë pas kësaj vrasje, është gjetur i vdekur dhe miku i Ramazanit, Regis Runaj, 23 vjeç. Ai ishte vrarë më thikë dhe trupi i pajetë i është gjetur pranë varrezave të qytetit, në një rrugë të braktisur.
Emiljano Ramazani ka qenë një eksponent i dalluar i krimit në qytet, që njihej për lidhjet e tij me trafikun dhe shpërndarjen e lëndëve narkotike dhe njihej si miku i Talo Çelës. Ky i fundit u shpall në kërkim pas grabitjes së 9 Prillit 2019 në aeroportin e Rinasit, ku një grup i armatosur i drejtuar nga Admir Murataj dhe Klement Çala, u përballën me ndërhyrjen e Forcave të Ndërhyrjes së Shpejtë./ZËRI