ITALI- Një 59-vjeçar shqiptar i identifikuar si Saim Myrtaj, ka humbur në një kantier ndërtimi në Rimini të Italisë. Sipas mediave italiane, aksidenti fatal në vendin e punës ndodhi paraditen e të hënës, kur 59-vjeçari shqiptar ra nga skela në një kantier ndërtimi.
Myrtaj ishte mbi skelat e ngritura përgjatë fasadës së jashtme të një ndërtese dykatëshe, ku po zhvilloheshin punime të mirëmbajtjeje, veçanërisht në tarraca. Mediat italiane shkruajnë se Murtaj ra nga disa metra lartësi dhe përfundoi në tarracën e apartamentit të katit të parë. Ishte banori i aparamenteti ai i cili njoftoi policinë, dëgjoi një përplasje të fortë nga jashtë.
Pas tragjedisë, Prokuroria e Riminit ka hapur një hetim për vrasje nga pakujdesia, aktualisht ndaj personave të paidentifikuar, me qëllim zbardhjen e plotë të rrethanave të aksidentit. Shkaku i rënies mbetet i paqartë, ndërsa autoritetet po verifikojnë nëse Myrtaj humbi aksidentalisht ekuilibrin, nëse mund të ketë pësuar ndonjë problem shëndetësor apo nëse ka pasur probleme me kushtet e sigurisë në kantier.
Autoritetet pritet të verfikojnë çfarë pajisjesh personale mbrojtëse kishte veshur Myrtaj në momentin e aksidentit dhe nëse ndodhej i vetëm apo i shoqëruar në momentin e ngjarjes, teksa qëndronte mbi skele.
Saim Myrtaj ishte vendosur në Rimini në fillim të viteve 2000. Ai lë pas gruan dhe dy fëmijë, një djalë dhe një vajzë. /ZËRI