KAMËZ-Një shpërthim me eksploziv ka ndodhur në orët e para të mëngjesit në Kamëz. Policia njofton se ngjarja ka ndodhur rreth orës 03:40, në bulevardin “Nënë Tereza”, ku në pjesën e jashtme të rrethimit të një kantieri ndërtimi ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse.
Si pasojë e shpërthimit fatmirësisht nuk ka asnjë të lënduar, por janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale. Nga hetimet e para dhe pamjet e kamerave të sigurisë të sekuestruara nga policia, autori dyshohet se ka vepruar i vetëm. Ai shihet teksa afrohet pranë rrethimit të kompleksit, vendos lëndën plasëse dhe më pas largohet me një motoçikletë. Një nga pistat ku po hetohet lidhet me ndonjë konflikt të mundshëm të pronarëve të ndërtimit, megjithëse vetë ata kanë deklaruar para hetuesve se nuk kanë probleme apo konflikte me persona të tjerë. Forcat e policisë po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe dokumentimin e plotë të rastit.
Njoftimi i policisë:
Rreth orës 03:40, në bulevardin “Nënë Tereza”, në pjesën e jashtme të rrethimit të një kantieri ndërtimi ka shpërthyer një sasi e vogël e dyshuar lënde plasëse.
Si pasojë janë shkaktuar vetëm dëme të vogla materiale.
Menjëherë në vendngjarje kanë shkuar shërbimet e Policisë dhe grupi hetimor, të cilët po punojnë për identifikimin dhe kapjen e autorit/ëve dhe dokumentimin e plotë të rastit./ZËRI