POGRADEC- Tushemisht, fshati i njohur turistik, është po 'survejohet' nga kamera high luxury. Të vendosura në shtylla rreth çdo 20 metra distancë, kamerat kanë tërhequr vëmendjen e qytetarëve dhe kanë ngjallur kureshtje të madhe. Pamjet janë bërë virale në rrjet, ndërsa pyetja lind se cili është qëllimi i këtyre kamerave të kushtueshme në një fshat që për më tepër, nuk njihet si problematik apo me ngjarje kriminale.
Raportohet se projekti ka kushtuar rreth 17 milionë lekë. Ndërkohë, një sërë pikëpyetjesh ngrihen teksa shikon rreth 58 kamera të cilat kushtojnë 1000 dollarë secila, ndërsa flitet se 12 mijë euro ka kushtuar njëra shtyllë. Por, kush i kontrollon dhe menaxhon këto dhjetëra kamera të vendosura? Cili është qëllimi dhe a ka një sallë operative?
ZËRI ka kontaktuar me Bashkinë e Pogradecit në lidhje me kompaninë apo fondacionin që financoi këtë projekt, pse duhej ky investim i kushtueshëm dhe a ka dikë që i kontrollon dhe menaxhon këto kamera të vendosura?
Në përgjigje, Bashkia Pogradec deklaron se nuk ka lidhje me projektin, duke theksuar se nuk është projektuar dhe as zbatuar prej saj. Në reagim, sqarohet se Bashkia është përfituesi dhe objekti momentalisht nuk është dorëzuar ende në bashki.
Reagimi i Bashkisë Pogradec për ZËRI: "Në përgjigje të kërkesës suaj dëguar më daë 29.12.2025, po ju informojmë se, projekti nuk është projektuar dhe as zbatuar nga Bashkia Pogradec. Projekti është zbatuar nga AADF (Fondacioni Shqiptaro Amerikan për Zhvillim) dhe zbatimi është bërë nga FSHZH (Fondi Shqiptar për Zhvillim), Bashkia është përfituesi dhe objekti momentalisht nuk është dorëzuar ende në bashki."
Investimi që do të transformonte zonën Drilon-Tushemisht u diskutua që në vitin 2022, ku prefekti i qarkut Korçë, Nertil Jole, kryetari i bashkisë Pogradec, Ilir Xhakolli si dhe Aleksandër Sarapuli nga AADF, u mblodhën për të diskutuar hapat teknikë dhe kalendarin e zbatimit të punimeve.
Me mbështetjen e qeverisë nëpërmjet Fondit Shqiptar të Zhvillimit, u miratuar fondi me vlerë 4 milionë dollarë për zbatimin e projektit të “Shëtitores së Tushemisht nga ura e Drilonit deri në pikën doganore të Tushemishtit”. Konkretish kamerat u financuan nga AADF, ndërsa zbatuesi në terren është Fondi Shqiptar i Zhvillimit.
Drejtori i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, Dritan Agolli u shpreh se e veçantia e këtij projekti ishin 58 ndriçues inteligjentë të pajisur me sensorë ajri, kamera sigurie dhe ekrane informuese me prekje për turistët. Ndërsa vetë Fondacioni Shqiptaro-Amerikan për Zhvillim mohoi në korrik të këtij viti të ketë financuar projektin. /ZËRI