ZADRIMË- Disa vatra zjarri janë aktivizuar pranë aksit rrugor Lezhë-Shkodër në zonën e Zadrimës duke krijuar një situatë problematike për drejtuesit e automjeteve.
Tymi i dendur është përhapur në rrugë duke ulur ndjeshëm shikueshmërinë dhe duke vështirësuar lëvizjen e mjeteve. Ndërkohë, flakët janë konstatuar në afërsi të aksit rrugor duke shtuar rrezikun për përhapjen e zjarrit dhe për sigurinë e qarkullimit.
View this post on Instagram
Nga të dhënat paraprake, dyshohet se zjarret mund të jenë shkaktuar nga djegia e tokave dhe mbetjeve bujqësore, ndërsa situata kërkon ndërhyrjen e shërbimeve zjarrfikëse për izolimin dhe shuarjen e vatrave.
Autoritetet duhet të marrin masa për menaxhimin e situatës dhe garantimin e sigurisë së drejtuesve të mjeteve, veçanërisht për shkak të prezencës së tymit në segmentin rrugor.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë nëse vatrat e zjarrit do të mund të neutralizohen pa shkaktuar probleme të mëtejshme në qarkullimin përgjatë aksit Lezhë-shkodër./ZËRI