Aktualitet

U arrestua në Belgjikë! Si ka ndryshuar 52-vjeçari që vrau të “fortin” e Tiranës në '97, Naim Zyberin

Në atë kohë, hetimet zbuluan se Gjinarari dhe Arben Grori hynë në dhomën e spitalit duke u paraqitur si të afërm të pacientit dhe realizuan ekzekutimin me armë zjarri të Zyberit, të cilën e kishin fshehur brenda një buqete me lule.

F.I
U arrestua në Belgjikë! Si ka ndryshuar 52-vjeçari që vrau
Gerd Gjinarari

TIRANË-Gerd Gjinarari, ose i njohur ndryshe si “Gert Gjenerali”, i cili konsiderohet si një nga emrat më të njohur të botës së krimit shqiptar, është arrestuar në Belgjikë. Ai është shpallur fajtor për vrasjen e Naim Zyberit në vitin 1997 në Itali, një prej personazheve të njohur të botës së krimit në kryeqytet.

Gjatë arrestimit policia bëri me dije se 52-vjeçari posedonte dokumente italiane të falsifikuara. Ai është dënuar me burg të përjetshëm për veprat penale “Vrasja me paramendim”, kryer në bashkëpunim, “Vrasja me paramendim”, “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, “Organizata kriminale” dhe “Kryerja e veprave penale nga organizata kriminale dhe grupi i strukturuar kriminal”.

Vrasja e Naim Zyberit ndodhi në një spital në Milano, ku po merrte trajtim mjekësor. Në atë kohë, hetimet zbuluan se Gjinarari dhe Arben Grori hynë në dhomën e spitalit duke u paraqitur si të afërm të pacientit dhe realizuan ekzekutimin me armë zjarri, të cilën e kishin fshehur brenda një buqete me lule.

Pasi u ekstradua në vendin tonë, në vitin 2019, Gjinarari u lirua me kusht nga Gjykata e Korçës, vendim që shkaktoi reagime të forta. Më pas, Gjykata e Apelit e rrëzoi vendimin e lirimit, duke urdhëruar rikthimin e tij në burg. Pas këtij vendimi, Gjinarari nuk u paraqit më për ekzekutimin e masës dhe u shpall në kërkim ndërkombëtar. Tashmë pas arrestimit në Begjikë, pritet që Gerd Gjinararin të ekstradohet drejt vendit tonë.

Poll

MOS HUMB