TIRANË- Gjykata e Tiranës ka liruar 14 protestuesit e arrestuar mbrëmjen e 1 shtatorit. Këta të fundit, gjatë tubimit në ditën 94 për rreth 2 orë bllokuan hyrje-daljet e kryeministrisë teksa brenda ndodhej kreu i qeverisë, Edi Rama.
Protestuesit e arrestuar: Dritan Goxhaj, Junik Matoshi, Edison Lika, Erlind Almeta, Sokol Bushi, Lulzim Gjini, Valtion Shameti, Florian Manarkolli, Desiderjo Alimucaj, Bora Mitrovica, Arvina Lleshi, Ylli Brahaj, Arben Kola dhe Aumiraldi Dalliu.
Ndaj protestuesve kishte dyshime për veprat “Organizimi dhe pjesëmarrja në grumbullime e manifestime të paligjshme”, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik”, “Prishja e qetësisë publike” dhe “Pengimi i qarkullimit të mjeteve të transportit”.
Mësohet se gjatë seancës gjyqësore, protestuesit kanë këmbëngulur se nuk kanë kryer asnjë vepër penale. Sakaq, ata kanë kërkuar deklarimin e paligjshëm të arrestimit dhe lirimin pa asnjë masë sigurie.
Ndërkohë, sot gjatë ditës, qytetarët u mblodhën jashtë ambienteve të Gjykatës, ku kërkonin lirimin e protestuesve.
Prania e kryeministrit Edi Rama në zyrë ndryshoi intinerarin e protestuesve në tubimin e 1 shtatorit, të cilët ndryshe nga herët e tjera nuk marshuan në rrugët e Tiranës, por u vendosën prej më shumë se 1 ore para Kryeministrisë. Gjithçka nisi pasi qytetarët tentuan të hyjnë në Kryeministri, ndërsa forca të shumta Policie krijuan një kordon përpara godinës së qeverisë. Situata përshkallëzoi në përplasje fizike, ku protestuesit u shtynë me efektivët, ndërsa ndërhynë edhe autobotët me ujë për shpërndarejen e tyre./ZËRI
