Aktualitet

U ekstradua nga Dubai, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Florenc Çapjas, e lë në burg

Avokati Çapja ka pretenduar se nuk ka përdorur "SkyECC", duke pretenduar se akuza ndaj klientit të tij është ngritur vetëm nga një deklarim i Nuredin Dumanit e Henrik Hoxhajt.

k.m.
U ekstradua nga Dubai, Gjykata e Lartë rrëzon rekursin e Florenc
Florenc Çapja

TIRANË- Gjykata e Lartë ka rrëzuar rekursin e Florenc Çapjas, i cili kërkoi ndryshimin e masës “arrest me burg” të caktuar ndaj tij nga Gjykata e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar. Masa e sigurisë u konfirmua edhe nga Apeli i GJKKO-së. Ndaj Çapjas, i cili u ekstradua nga Dubai më 2 maj të këtij viti, rëndon një masë sigurie për akuzën e "sigurimit të kushteve për vrasje", ndaj Sokol Sanxhaktarit, dhëndrit të ish-kryebashkiakut të Elbasanit, Qazim Sejdini.

Por avokati Çapja ka pretenduar se nuk ka përdorur "SkyECC", duke pretenduar se akuza ndaj klientit të tij është ngritur vetëm nga një deklarim i Nuredin Dumanit e Henrik Hoxhajt. Përveç akuzave për Sanxhaktarin, Florenc Çapja është dënuar me burg të përjetshëm për vrasjen e babë e bir, Nezir dhe Gentian Beqiri, ngjarje kjo e ndodhur në Elbasan në vitin 2012.

Florenc Çapja u ekstradua më 2 maj nga Dubai drejt Tiranës për llogari të autoriteteve shqiptare. Në dëshminë e tij, Çapja është shprehur se nuk ka qenë asnjëherë përdorues i platformës së enkriptuar të komunikimit SKY ECC. Më tej ai ka pretenduar se nuk është ekstraduar, por ka qenë vullneti i tij për të ardhur pasi ka qenë më herët në Stamboll dhe ka pasur mundësi të largohej. Çapja është shprehur gjithashtu se nuk e njeh të penduarin e drejtësisë, Nuredin Dumanin dhe nuk i ka kërkuar asgjë atij në lidhje me Sokol Sanxhaktarin./ZËRI

Poll

MOS HUMB