TIRANË-Pas raportimeve për dy platformat TXEX dhe XEUX, të cilat paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta me synim zhvatjen e shqiptarëve, janë publikuar edhe bisedat e Leo Smith, një prej agjentëve të kësaj skeme me qytetarët e përfshirë. Në bisedat më poshtë, qytetarët të cilët kanë investuar lekë, kërkojnë të tërheqin shumën që kanë hedhur ose ato që kanë fituar.
Pyetja 'a mund t'ju kërkoj të ndani gjysmën e fitimeve me mua'-nuk mungon, duke arsyetuar se bashkëpunimi bazohet në përfitim të ndërsjellë, jo vetëm në përfitim personal. Por as gjysma nuk është në duart e shqiptarëve, pasi Smith u ka thënë lojtarëve që nuk mund të tërheqin paratë deri në gusht 2026.
Teksa lojtarët tashme ankohen se humbën lekët, Smith i siguron se çdo anëtar i grupit nuk ka pësuar asnjë humbje dhe kërkesën për të tërhequr paratë e quan të paarsyeshme. Madje i siguron se do të hapet një platformë e re ku tërheqja e parave është e pakufizuara, duke u lejuar përdoruesve të tërheqin fonde në çdo kohë.
"Sistemi SKLCOIN funksionon në bazë T + 0 që do të thotë se depozitat dhe tërheqjet janë të pakufizuara, duke u lejuar përdoruesve të tërheqin fonde në çdo kohë. Ndryshe nga platformat e tjera tregtare, SKLCOIN integron dhe promovon një ekosistem publik, duke përfshirë arin, valutën e huaj dhe kriptovalutat, për t'u bërë një lloj i ri platforme tregtare financiare,"-shprehet Smith.

BISEDA:
Qytetari: Kaq ishte
Qytetar: Per ca i dergoni kto sinjalet kot se kuptoni qe falimentovi iken leket

Leo Smith: Duke filluar nga sonte, nuk do të publikojmë më sinjale tregtimi këtu dhe do të kalojmë te SKL COIN për tregtimin e këmbimit valutor. Grupi ynë EG gjithmonë i është përmbajtur konceptit të zhvillimit të orientuar drejt njerëzve dhe prosperitetit të përbashkët. Edhe pse ky incident ka ndodhur, ne nuk do t'i shmangemi asnjë përgjegjësie. Gjithashtu, i kemi thënë të gjithëve më parë se edhe nëse XUEX nuk mund të operojë, ne do të vazhdojmë të kryejmë projekte të tjera me të gjithë ata që i besojnë Grupit tonë EG. Tani po e përmbushim edhe këtë premtim. Do ta hap grupin tani. Nëse keni ndonjë pyetje, ju lutemi flisni këtu me kohë.
Leo Smith: Para së gjithash, kjo është një platformë krejt e re, e krijuar në mars të këtij viti. Ne jemi përgjegjës vetëm për ata që na besojnë. Ju keni qenë anëtar i Grupit EG për disa muaj tani, duke fituar para me ne. Ne nuk ju kemi shkaktuar asnjë humbje dhe fondet tuaja janë ende në duart tuaja. Megjithatë, ju po më kërkoni të rimbush llogarinë tuaj. A mund t'ju kërkoj të ndani gjysmën e fitimeve tuaja me mua? Bashkëpunimi bazohet në përfitim të ndërsjellë, jo vetëm në përfitim personal në kurriz të partnerëve. Çdo anëtar i Grupit EG nuk ka pësuar asnjë humbje. Nuk e kuptoj pse do të bënit një kërkesë kaq të paarsyeshme.

Qytetari: Une nje gje nuk kuptoj se mbase te dukemi injorantë...

Leo Smith: E kam shpjeguar situatën specifike në detaje. Meqenëse nuk më besoni, nuk kam çfarë të them. Nuk dua të shpjegoj shumë. Platforma e re ofron mundësi të reja. Nëse zgjidhni të prisni deri më 1 gusht 2026, nuk ka problem. Nuk do t'ju detyrojmë të vazhdoni të na ndiqni në SKL për të vazhduar të fitoni. Kjo është gjithashtu liria juaj. Për më tepër, fondet e të gjithëve janë ende në llogaritë e tyre XUEX, dhe XUEX nuk është mbyllur. Thjesht ka shumë platforma të rreme në treg, gjë që ka çuar në nevojën që agjencitë rregullatore të rishikojnë XUEX. Gjatë periudhës së rishikimit, të gjithë mund të hyjnë në llogaritë e tyre normalisht, dhe fondet e të gjithëve janë në llogaritë e tyre XUEX dhe nuk janë zhdukur.
ZËRI raportoi më herët se numri i qytetarëve që kanë shkarkuar këtë platformë dhe kanë investuar para është gati 6 mijë. Dy qytetet me numrin më të lartë të përdoruesve janë në Lushnje dhe Lezhë. Në skemë janë një rrjet i gjerë i pikave të këmbimit valutor që bëjnë kthimin e parave nga dollarë fizikë në një portofol dixhital me ‘ustd’. Pasi portofoli virtual i qytetarit mbushet me monedhat virtuale ai është i lirë të investojë. Qytetari që ka mbushur portofolin dixhital me “ustd” është i lirë që të nisë investimin në platformë. ZËRI u interesua nga afër ku banorët treguan me detaje se si investojnë lekët dhe rrugën që ndjekin nga regjistrimi në platformë deri tek mënyra si i tërheqin lekët. Policia shqiptare është duke i hetuar këto platforma dhe kanalet e tyre në Telegram dhe rrjete të tjera./ZËRI

