DURRËS- Pak ditë pasi u komandua në krye të burgut të Durrësit, Edmond Llabani ka pësuar hemoragji cerebrale dhe është dërguar në ambientet e QSUT. Drejtori i burgut të Durrësit, ndodhet i shtruar në spital në gjendje të rëndë, ndërsa iu besua detyra e drejtorit, pas arrestimit të paraardhësit të tij, Indrit Cerloj. Ky i fundit u akuzua zyrtarisht nga Prokuroria e Durrësit për shpërdorim detyre, pas arratisjes nga spitali Infektiv të Altin Ndocit, një personazhin me rrezikshmëri të lartë shoqërore.
Më 14 janar, ministri i Drejtësisë, Besfort Lamallari firmosi shkarkimin e Cërlojt dhe kërkoi nga drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, një plan të ri të vlerësimit të sigurisë dhe rishpërndarjes mbi bazën e rrezikshmërisë së të dënuarve dhe paraburgosurve në IEVP Durrës, duke konsideruar edhe transferimin në burgje të tjera të sigurisë së lartë. Pas shkarkimit të tij, Edmond Llabani u emëruar drejtori i ri i Burgut të Durrësit.
Altin Ndoci mbërriti me ambulancë në spitalin e Durrësit, pa pranga mes efektivëve mesditën e 13 janarit, ku së bashku me një tjetër të paraburgosur, u shoqërua drejt repartit të Infektivit pas shqetësimeve në veshka. Ndoci i cili priste në dhomë pa pranga pas mjekimit, i kërkoi 2 efektivëve që e ruanin te dera, ta shoqëronin për në tualet, ngjitur me dhomën e vizitës. Sapo dera është hapur 38-vjeçari goditi një nga efektivët dhe u largua me shpejtësi duke zbritur shkallët nga kati i tretë i infektivit. Një prej efektivëve qëlloi për ta trembur, por ai ka arritur të largohet me vrap ndërsa një “Audi A7” e priste në parkimin e spitalit të Durrësit./ZËRI