TIRANË- Është shtyrë sërish seanca ndaj kryebashkiakut të Tiranës, Erion Veliaj, ku gjykata do të vendoste nëse çështja do të kalonte apo jo për gjykim. Mësohet se seanca e radhës do të mbahet më datë 2 shkurt. Në seancën e sotme ku i pranishëm ishte edhe kryebashkiaku, Gjykata e Posaçme ka rrëzuar kërkesën e avokates, Valentina Teodoresku, e cila ka kërkuar më shumë kohë për t'u njohur me aktet ndaj Veliajt.
Kujtojmë se seanca e kaluar u shty, pasi Veliaj pretendoi se nuk u shoqërua nga IVEP Durrës drejt gjykatës. Avokatët e kryebashkiakut pretenduan se furgoni i Drejtorisë së Burgjeve është paraqitur në paraburgimin e Durrësit në orën 08:55 ndërkohë që seanca fillonte në orën 09:00. Nga ana tjetër Drejtoria e Burgjeve në një reagim zyrtar deklaroi se mjetet e policisë kanë qenë në kohë në ambientet e paraburgimit, por Veliaj ka refuzuar të dalë, duke pretenduar se ishin me vonesë.
Kryebashkiaku i Tiranës, Erion Veliaj, i cili ndodhet prej rreth një viti në masën e sigurisë “arrest në burg” ka kërkuar lirimin nga qelia. Veliaj ka paraqitur kërkesë për revokimin ose zëvendësimin e masës së sigurisë, si dhe ka kërkuar informacion nga Prokuroria e Posaçme Antikorrupsion lidhur me ecurinë e hetimeve që po zhvillohen ndaj tij, për veprat penale të korrupsionit dhe pastrimit të parave.
Veliaj ndodhet në qeli që prej 10 shkurtit. Ai së bashku me bashkëshorten e tij Ajola Xoxa, akuzohen për korrupsion në 9 raste. Në njoftimin e SPAK thuhet se çifti kanë marrë përfitime të parregullta në formën e shumave monetare dhe pasurive të paluajtshme, nga subjekte tregtarë dhe organizata jofitimprurëse (përmendur më sipër), të cilët nga ana e tyre kanë marrë leje ndërtimi dhe përfituar fonde publike nga Bashkia Tiranë. Mbi Veliajn rëndon gjithashtu akuza për 'shpërdorim detyre', 'pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale', 'futja ose mbajtja e sendeve të ndaluara në institucionin e ekzekutimit të vendimeve me burgim' dhe refuzimi për deklarimin, mosdeklarimi, fshehja ose deklarimi i rremë i pasurive, interesave privatë të personave të zgjedhur dhe nëpunësve publikë ose i çdo personi tjetër që ka detyrimin ligjor për deklarim./ZËRI